Digjet zyra elektorale e PS-së në Durrës, Klosi: “Sulm i Berishës”
Shënohet një tjetër incident në fushatën elektorale dhe viktimë e tij bëhet sërish një tjetër zyrë elektorale e Partisë Socialiste. Pas thyerjes dhe dhunimit të zyrës elektorale të PS-së në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, gjatë ditës së djeshme është dhunuar zyra elektorale e Partisë Socialiste në komunën Xhafzotaj, në afërsi të qytetit të Shijakut, në qarkun e Durrësit. Persona të panjohur kanë tentuar të djegin zyrën duke i vënë flakën qepenit dhe kanë djegur flamujt që valëviteshin. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Incidenti ka sjellë reagimin e ashpër të drejtuesve të Partisë Socialiste. Blendi Klosi, kandidati për deputet, i pari në listën me 12 kandidatë të PS-së në qarkun e Durrësit, në një prononcim për median, e cilësoi ngjarjen si një presion të drejtpërdrejtë të kryeministrit Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike: “Ky është një presion i drejtpërdrejtë që bëjnë njerëzit e Sali Berishës dhe shprehja e tij që do të kthejmë vitet ’92 e ’96 me sa duket po fillon nga Shijaku. Sali Berisha po vazhdon me djegie, shkatërrim e presion fizik mbi mbështetësit e PS-së”.
Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi si prova materiale një shishe me benzinë dhe një çakmak. Ka nisur hetimi për të zbardhur autorët e ngjarjes. Por ky nuk ka qenë i vetmi incident i ndodhur gjatë ditës së djeshme në qarkun e Durrësit. Pikërisht në këtë qytet janë dëmtuar posterat e Partisë Socialiste. Persona të paidentifikuar kanë deformuar posterat me figurën e kreut socialist Edi Rama, duke shkruar me bojë mbi to “PD”. Bëhet fjalë për posterat në rrugën përgjatë lulishtes “1 Maji” në Durrës dhe pranë Muzeut të Dëshmorëve. Gjithçka ka ndodhur pas mitingut të Partisë Socialiste në Durrës ditën e djeshme, ku dhe u prezantuan kandidatët për këtë qytet.
3 Qershor 2009