E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet nxjerrin në pah hendekun e thellë midis PD-së dhe qeverisë

Strukturat shfletojnë kërkesat për punë dhe kontaktojnë të pakënaqurit. Strategjia e re, riaktivizimi në fushatë i ish-militantëve të zhgënjyer

Eljona Ballhysa
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit duket se po nxjerrin në pah hendekun e thellë midis Partisë Demokratike dhe qeverisë. Kjo situatë është krijuar për shkak të largimit të shumë figurave të njohura të PD-së, të deputetëve të vjetër me lidhje dhe njohje të vjetra dhe me afrimin e politikanëve të rinj. Në fakt, ardhja e figurave të reja në PD, ashtu siç ka sjellë mbështetës të rinj të PD-së, nga ana tjetër ka mënjanuar disa prej simpatizantëve apo militantëve historikë të kësaj partie. Por ana tjetër e medaljes është edhe distanca që ka krijuar pushteti qeverisës për katër vite me radhë me militantët. Figurat qendrore të partisë, pas fitores në zgjedhjet e 2005-s, u shpërngulën në zyrat e rehatshme të institucioneve qendrore, duke lënë të kyçura për katër vite zyrat në PD. Por këta drejtues jo vetëm që u kthyen kurrizin militantëve, mbështetësve të partisë, por harruan të mblidhnin dhe forumet drejtuese të partisë, që është një tjetër mundësi kontakti me personat me kontribute në parti. Kjo situatë solli një ndarje të qeverisë me partinë, anëtarët, simpatizantët dhe militantët e selisë blu. Jo të paktë janë ata që kanë trokitur në zyrat bosh të PD-së për një vend të thjeshtë pune dhe më pas janë larguar të zhgënjyer. Pikërisht kjo situatë është rikthyer në vëmendjen e PD-së në këto zgjedhje parlamentare. Madje mësohet se strategjia e re e selisë blu është kontakti me të zhgënjyerit.
Kontakti
Burime nga kjo parti shprehen se tashmë janë ngritur grupet e punës që do të marrin kontakte të drejtpërdrejta me të gjithë simpatizantët apo anëtarët e partisë që janë tërhequr nga aktiviteti i tyre pikërisht për shkak të zhgënjimit që kanë pasur menjëherë sapo mori zgjedhjet PD-ja dhe gjërat për ta nuk ndryshuan. Janë pikërisht ata njerëz, kryesisht në qytetet e mëdha të vendit, të cilët në një numër jo të vogël bojkotuan zgjedhjet e vitit 2007, duke bërë që e majta të fitojë në një numër të konsiderueshëm bashkitë më të mëdha në vend. Shtabet elektorale të ngritura nga kandidatët për deputetë kryesisht në Tiranë kanë nisur takimin me personat që njihen si demokratë, duke kërkuar riaktivizimin e tyre në fushatë me PD-së dhe duke i premtuar një pjesës “të tortës” së pushtetit të ardhshëm.
Shqetësimi
Në fakt, lënia në harresë e militantëve është një çështje që është ngritur për diskutim nga figura të ndryshme të PD-së gjatë katër viteve të kaluara. Si Besnik Mustafaj, ashtu dhe Preç Zogaj, aktualisht dy ish-deputetë të PD-së që nuk u përfshinë në listat e reja të kësaj partie, kanë kërkuar që drejtuesit e partisë të mos e braktisin selinë dhe të respektojnë forumet e larta drejtuese. Pra mbledhjen e strukturave, siç është Këshilli Kombëtar, i cili gjatë këtyre katër viteve është mbledhur shumë rrallë. Duket se PD-ja, në kushtet në të cilat ndodhet, me një listë pothuajse të re kandidatësh për deputetë, shumica e të cilëve nuk njeh mbështetësit tradicionalë të PD-së, bashkudhëtarët e saj në vite, ka filluar pikërisht të ndreqë dëmin e shkaktuar gjatë 4 viteve në qeverisje.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›