E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja, takim me komunitetin çam në qytetin e Fierit



“Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë gjithmonë në mbrojtje të çështjes çame dhe do të punojë forcërisht për ta vënë atë në rrugën e zgjidhjes”. Ky ka qenë mesazhi që kandidatët për deputetë të LSI-së në qytetin e Fierit u kanë përcjellë banorëve të komunitetit çam gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme. Duke folur për mbështetjen e madhe që çështja çame gjen te politika e LSI-së, nënkryetari i LSI-së për rrethin e Fierit, Shkëlqim Murati, ka theksuar se tashmë ka ardhur koha që përmes një ndërgjegjësimi të lartë, ky komuniteti nuk duhet të votojë ata që i kanë mashtruar. “Pse nuk duhet të votojmë më për Sali Berishën? Dikur Berisha na ka thënë që ai e ka pasur amanet çështjen çame nga babai. Dhe ai njeri që nuk mban amanetin e të atit nuk duhet votuar”. Nga ana e tij, kreu i shtabit të LSI-së së Fierit, Bardhi Meli, ka theksuar faktin se LSI-së dhe lidershipi i saj, Ilir Meta, në mënyrë të vazhdueshme kanë ditur të mbrojnë dhe të ngrenë zërin për këtë çështje. Meli ka kujtuar faktin se edhe në mes të Athinës zoti Meta e ka ngritur zërin për këtë çështje dhe vazhdon ta ngrejë atë, ndërkohë që ende dhe sot e kësaj dite Berisha nuk ka kurajën të thotë që çamëve ju takon që të jetojnë në tokat e tyre në Çamëri.

Milo prezanton kandidatët e PDS-së në qarkun e Lezhës

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, u takua me anëtarë dhe simpatizantë të rrethit të Lezhës ku prezantoi kandidatët për deputet të PDS-së në zgjedhjet e 28 qershorit, të Petraq Kalemi dhe Fran Mata. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Milo u tha të pranishmëve se duke votuar për Demokracinë Sociale ju keni vendosur një ekuilibër politik të domosdoshëm për të ardhmen qeverisëse të Shqipërisë. “Shqipëria ka nevojë për ekuilibra politikë dhe qeverisës, Shqipëria ka nevojë për të gjithë, askush nuk është i tepërt, të gjithë janë të nevojshëm, të gjithë janë të domosdoshëm, prandaj edhe alternativa e Demokracisë Sociale nesër në qeverisjen e vendit është e nevojshme, sepse qeverisja e urtë, qeverisja e mirë, qeverisja demokratike ka nevojë për mençuri, ka nevojë për urtësi, ka nevojë për ekuilibër dhe këto nuk mund të shfaqen vetëm në një qeverisje të një force të vetme politike”, - tha Milo.

Blushi dhe Xhaçka, takime elektorale në qytetin e Korçës

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ben Blushi dhe Olta Xhaçka, kanë zhvilluar disa takime në lagjet kryesore të qytetit të Korçës. Gjatë takimeve me banorët, kandidatët socialistë kanë prezantuar programin e Partisë Socialiste. Blushi është shprehur se programi i PS-së është programi më i mirë që u ofrohet shqiptarëve, përgatitur nga grupe ekspertësh dhe i mbështetur nga një ekip profesionistësh.
“Më 28 qershor ka vetëm një rrugë: shkojmë për të votuar për kandidatët e Partisë Socialiste në të gjithë Korçën, shkojmë për të votuar për veten. Në qoftë se ka një ndryshim të madh përveç faktit që qeveria e Berishës është e kriminalizuar, e majta dhe e djathta kanë një ndryshim në gjen, në AND, sepse e majta ndihmon të varfrit, ndihmon ata që nuk kanë punë, ndihmon ata që shkojnë në emigracion, sepse në Shqipëri nuk ka punë”, - tha Blushi.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›