E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Berisha po e shpërdoron administratën për qëllime elektorale



Lëvizja Socialiste për Integrim e ka akuzuar kryeministrin Berisha se po shpërdoron administratën publike për qëllimet elektorale të Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se kryeministri Berisha ka zëvendësuar punët e qeverisë me propagandën elektorale dhe manifestimet e përurimet demagogjike mashtruese. “Komunikimi i qytetarëve me administratën shtetërore për qindra e qindra halle të tyre është bërë i pamundur, sepse kjo administratë e ka humbur tërësisht rolin e saj dhe është shndërruar në një administratë elektorale që transportohet anekënd Shqipërisë për të mbushur sheshet elektorale të Berishës. Duke ndjerë humbjen qartë kryeministri po ndjek në mënyrë të papërgjegjshme strategjinë e tokës së djegur, të njëjtë me atë të zbatuar në pragun e zgjedhjeve të vitit 1996 dhe që sollën më pas atë tragjedi të vitit 1997, që të gjithë e kujtojnë mirë. Shpërdorimi skandaloz i administratës shtetërore për qëllime elektorale ka paralizuar plotësisht funksionimin e shtetit, duke e kthyer shtetin nga një garant të interesave të qytetarëve në një antishtet elektoral. Sali Berisha duhet të kthehet sa më parë në zyrën e Kryeministrit për të drejtuar qeverinë edhe në këto pak ditë që i kanë mbetur, sepse drejtimi i shtetit nuk është një biznes familjar, por një detyrim publik ndaj më shumë se tre milionë shqiptarëve. LSI-ja i garanton qytetarët shqiptarë se me fitoren e padiskutueshme të opozitës më 28 qershor do të ndahemi njëherë e mirë nga antishteti i Berishës për të krijuar shtetin e qytetarëve europianë që duan shtetin dhe ligjin dhe t’i respektojnë ato”, - tha Vasili.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›