E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, letër KQZ-së: “Kemi dyshime për falsifikimin e kartave”

Selia rozë kërkon nga KQZ-ja krijimin e mundësive teknike komisioneve zgjedhore për verifikimin e kartave. Reagon Ministria e Brendshme, Nishani: “Është i pamundur falsifikimi i kartave”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilën shprehet shqetësimi për falsifikimin e kartave të identitetit. Letra e selisë rozë mban firmën e sekretarit për Çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj dhe është dërguar për vëmendje edhe ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, si dhe shefes së misionit të ODIHR-it, Odrei Glover. Duke marrë shkas nga një deklaratë e drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti, sipas të cilit rezulton të jetë e pamundur që komisionerët e qendrave të votimit të verifikojnë vërtetësinë e këtyre dokumenteve, Partia Socialiste kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’u krijojë komisioneve zgjedhore mundësi teknike për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit.

Verifikimi
Në letrën dërguar KQZ-së, Partia Socialiste thekson domosdoshmërinë e krijimit të mundësive teknike për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit nga ana e komisioneve zgjedhore. “Verifikimi i saktësisë dhe autenticitetit të dokumenteve të identifikimit që do të përdoren në procesin e votimit bëhet edhe më tej i domosdoshëm në kushtet kur raportohen pasaktësi në mbushjen e tyre dhe mundësi të aplikimit më shumë se një herë të një shtetasi. Nisur nga eksperienca në vende të tjera, ku në qarkullim janë gjendur edhe letërnjoftime elektronike të falsifikuara, nevoja për përdorimin e pajisjeve që do të bënin dallimin mes dokumenteve të sakta, prodhuar dhe shpërndarë nga kompania “Aleat” dhe atyre të falsifikuara, bëhet emergjente. Në këto rrethana, ju drejtohemi Juve si institucioni përgjegjës përballë ligjit për administrimin, drejtimin dhe kontrollin e procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor, që të shqyrtoni dhe të vendosni për krijimin e mundësive teknike për komisionet zgjedhore (KQV) për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit. Zgjidhja për këtë shqetësim të posaçëm realizohet nëpërmjet pajisjes së komisioneve (KQV) me nga një pajisje të posaçme verifikimi të letërnjoftimeve elektronike. Partia Socialiste beson fort se një vendim i tillë do të shërbejë si një garanci e domosdoshme për t’i prerë rrugën çdo lloj tentative manipulimi të mundshëm gjatë procesit të votimit me përdorim të kartave të rreme”, - thuhet në letrën e Partisë Socialiste.

Reagimi

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka hedhur poshtë akuzat dhe dyshimet e Partisë Socialiste se kartat e identitetit janë të falsifikueshme. Sipas ministrit Nishani, nuk ka asnjë mundësi që një person të marrë dy letërnjoftime, pasi do të bllokohej procesi. Ai deklaroi se Ministria e Brendshme është e gatshme që të verifikojë pretendimet e Partisë socialiste. Nishani shprehu gjithashtu gatishmërinë për të informuar mbi çdo detaj Partinë Socialiste për sa i përket procesit të kartave të identitetit, ashtu siç ka vepruar edhe më parë. Ai shtoi se Ministria e Brendshme do të verifikojë çdo gabim të pretenduar që mund të jetë bërë me dokumentet e reja. Megjithatë, numri një i Ministrisë së Brendshme ka theksuar se për verifikimin e të gjithë emrave duhet më parë procesi dekodifikimit, i cili, sipas tij, nuk është një proces i lehtë. “Ne do të verifikojmë gabimet e pretenduara”, - tha Nishani. Ai shtoi se është rritur ndjeshëm numri i personave që aplikojnë për karta, duke nënvizuar se asnjë person pa pasaportë nuk do të mbetet pa letërnjoftim brenda afatit të caktuar.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›