Mediu vazhdon fushatën në Sarandë duke ripremtuar zgjidhjen e çështjes së pronës
Kreu republikan, Fatmir Mediu, ishte në një takim elektoral në qytetin e Sarandës. Gjatë fjalës së tij Mediu u ndal te çështja e pronës, duke përsëritur se zgjidhja e saj është e një rëndësie prioritare për Partinë Republikane, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë. “Kthimi i pronës private te pronari i ligjshëm, ky është detyrimi i parë që duhet të ketë shteti shqiptar. E them këtë se është një detyrë, është një detyrim përballë së drejtës. Kur ne republikanët filluam në ’90-n të flisnim për pronën private, shumë na quajtën ekstremistë, por jo, ajo që kemi kërkuar në atë kohë dhe që kërkojmë dhe sot është që të ndërtojmë një shtet të bazuar në të drejtën. E drejta e pronës është e bazuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe nëse duam të shkojmë në Europë, nuk mund të shkojmë ndryshe veçse duke respektuar pronën private”, - nënvizoi numri një i republikanëve. Më tej kreu republikan, pasi e renditi zgjidhjen e çështjes së pronës si detyrimin dhe prioritetin e parë të republikanëve gjatë mandatit të dytë, renditi edhe çështje të tjera shumë të rëndësishme të jetës së shqiptarëve, si arsimi, shëndetësia, ekonomia, zhvillimi dhe investim i mëtejshëm në to, si angazhim për koalicionin e djathtë gjatë mandatit të dytë.
3 Qershor 2009