E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inspekton rrugët e reja në Librazhd

Kjo rrugë lidh Librazhdin me Ostrenin dhe është pjesë e unazës verilindore të vendit.

Aktualisht po punohet në dy segmente, përkatësisht me gjatësi 10.5 kilometra dhe 30.5 kilometra. Pasi u informua nga zbatuesit e projektit për fazat e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i segmentit Ostren - Ura e Cerenecit, me gjatësi 17 kilometra, i cili përmbyll unazën verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd.

Në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha  tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e saj të mëdha ekonomike, së pari turistike, por edhe potenciale të tjera minerare, bujqësore dhe të shumëllojta të kësaj zone.

 “Rruga që ndërtojmë - u shpreh Kryeministri - është një nga segmentet më kryesorë të unazës verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd, për të vazhduar më tej me unazën Juglindore që fillon në Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. “Siç e shihni, ne po vazhdojmë me intensitet më të madh se kurrë ndërtimin e një infrastrukture moderne, të denjë për Shqipërinë vend i zhvilluar. Rrugët e të gjithë këtyre zonave dhe në tërësi rrugët e Shqipërisë kanë qenë në të vërtetë rrugë të mundimshme. Ne po i kthejmë ato në rrugë moderne, të cilat krijojnë korridore të reja energjish të fuqishme të tregut, por i bëjnë shqiptarët krenarë me çdo metër katror të këtij vendi, i bëjnë shqiptarët të njohin potencialet e jashtëzakonshme të vendit të tyre dhe ta duan atë shumë më tepër”, tha kryeministri.

Berisha shtoi se rruga është e kontraktuar deri në Ostren dhe së shpejti do të kontraktohen 17 kilometrat e fundit të saj Ostren - Ura e Cerenecit dhe në këtë mënyrë, unaza verilindore Valbonë - Librazhd përfundon brenda vitit të 100 vjetorit të pavarësisë.

“Nuk ka shpërblim më të madh për këta banorë, se sa të gëzojnë këtë infrastrukturë. Është edhe një mirënjohje për Skënderbeun, i cili bëri shumë beteja në këto male për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve”. Gjatë inspektimit të rrugës, në zonën e njohur si Shkëmbi i Lunikut, Kryeministri Berisha u ftua të shtypë butonin e detonimit për hapjen e terrenit nga një masiv shkëmbor, për të mundësuar avancimin e rrugës.

"Brenda vitit të 100 vjetorit të pavarësisë rruga Stëblevë – Librazhd do të asfaltohet. Sikundër, do të bëjmë çdo gjë që të asfaltohet në tërë trajektoren e saj, nga Ura e Cerenecit deri në Librazhd. Kjo rrugë është një nga segmentet më të rëndësishme të unazës verilindore të vendit, e cila fillon në Rragam të Valbonës, përfundon në Librazhd dhe vijon me unazën juglindore në Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë", shtoi ai  /Start/

                                                                                             2011-11-04 14:26
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›