Janku hyn në “borxh” me Partizanin
Partizani do t’i kishte të gjitha mundësitë të realizonte fitoren e parë në shtëpi nëse bilbili ndërkombëtar Albano Janku do të ishte treguar profesionist në gjykimin e tij, teksa i mohoi skuadrës së kuqe një penallti krejtësisht të pastër, kur mbrojtësi i Elbasanit, Arjan Sheta, ndërhyri brutalisht ndaj sulmuesit të Partizanit, Marius Ngjela në limitin e tri minutave shtesë, në takimin e përfunduar në barazim 2-2. Të kuqtë edhe njëherë tjetër ndëshkohen në mënyra flagrante nga gjyqtarë, ndoshta jo të porositur, por që kanë humbur totalisht aftësinë për të gjykuar në mënyrë të pavarur. Komentet e radiokronistëve sportivë nga impianti ndërkombëtar “Qemal Stafa” pohuan se ishte një penallti “sade”, që me sa duket dyshja e gjyqtarëve Janku-Maloku nuk e konsideroi të tillë, çka provokoi në mënyrë të fuqishme edhe protestën e stafit teknik të Partizanit. Kështu, pas Ervis Pezës e Shkëlqim Guçes, edhe Albano Janku duket se u ka hyrë në borxh 15 herë kampionëve të Shqipërisë. Peza gaboi në ndeshjen e Partizanit kundër Tiranës në humbjen 2-1, Guçe me atë penallti të dhënë në favor të Bylisit (1-1), e nuk u panë për disa javë të gjykojnë në fushat e Superligës. Ndoshta edhe Jankun nuk mund ta shohim. Por ajo që të vjen keq është fakti se si një “stemë e FIFA”-s gabon në mënyrë flagrante. Ndoshta është kohë recensioni ndërkombëtar, krizë financiare. Të gjithë vuajnë, edhe pse zyrtarisht kriza në Shqipëri nuk ka mbërritur.
NDESHJA
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, e kishte përgatitur me kujdes sfidën ndaj Elbasanit, që nga ana e tij i kishte shkaktuar një javë më parë humbjen e vetme Tiranës kryesuese. Një Partizan me shumë dëshirë për të fituar takimin, të parin në shtëpi, por dhe të parin për Duron si trajner pas tri javëve drejtim në bankinën e kuqe.
“Demat” ishin më impulsivë në minutat e para, por Oriand Abazaj ndëshkoi të kuqtë në minutën e 26-të, me një goditje shembullore me kokë. Korçari Marius Ngjela shfrytëzoi në maksimum gabimin e Kacolljes, duke vendosur ekuilibrat në fushë tre minuta përpara se dy ekipet të shkonin në dhomën e zhveshjes.
Në pjesën e dytë, ish-sulmuesi i Skënderbeut realizoi golin e dytë për Partizanin në të 85’, pasi një asisti të Gjylës, i cili shfrytëzoi mosmarrëveshjen midis Bakallit e Lakos. Kur dukej se skuadra e presidentit Xhanit do të realizonte fitoren e dytë në kampionat, në javën e fundit të fazës së parë, ashtu siç edhe kishte bërë në javën e parë të kampionatit, Julian Ahmataj me golin e tij në minutën e 90-të vulosi përfundimisht rezultatin 2-2.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA E 11
E shtunë, 15.11.2008
Vllaznia-Teuta 2-1
Tirana-Lushnja 1-0
Partizani-Elbasani 2-2
Apolonia-Besa 3-1
Flamurtari-Shkumbini (0-0
Bylis-Dinamo 1-0
RENDITJA PAS JAVËS 11
V SKUADRAT
1 Tirana 22
2 Vllaznia 21
3 Shkumbini 19
4 Dinamo 17
5 Besa 16
6 Teuta 16
7 Elbasani 16
8 Flamurtari 13
9 Bylis 12
10 Apolonia 11
11 Partizani 7
12 Lushnja 7
15 Nentor 2008