Uashingtoni i bën të fala Dajës
Leksion “ndërkombëtar” i Apolonisë për Besën (3-1), në një nga ballafaqimet më me shumë grintë në javën e 11-të, ku u shënuan katër gola, dy nga këta me penallti, por dhe pati dy kartonë të kuq, që të dy për Besën e Ilir Dajës. Ish-trajneri i Dinamos mori një mësim të hidhur nga homologu i tij, serbi Esad Karishik, ky i fundit debutoi me sukses në premierën e tij përpara tifozerisë fierake në “Loni Papuçiu”, duke i dhënë fund edhe serisë negative të ekipit të presidentit të komanduar Endri Puka.
I pari nga tre golat e fierakëve mban firmën e brazilianit Uashington Junior, i cili realizoi me penallti në minutën e 39-të. Në pjesën e dytë ishte serbi Mladen Bërkiç, që shënoi dy gola brenda tetë minutash, në të 57’ e 65, duke i çuar shifrat në 3-0 për Apoloninë. Mesfushori sulmues i Besës, Bledar Mancaku, shënoi golin e nderit nga pika e bardhë në minutën e 67-të, përpara se Besa ta përfundonte takimin me nëntë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq, fillimisht të Sokol Ishkës (80’) dhe Arbër Abilaliaj në të 89’.
Dinamo në krizë, Bylisi i pathyer nga kryeqytetasit
Krizë e deklaruar e Dinamos. Tashmë, kampionët në fuqi nuk mund ta fshehin atë. Madje as dhe trajneri i saj, kroati Zlatk Daliç. 17 herë kampionët e Shqipërisë dështuan në transfertën kundër Bylisit – një ekip dikur i financuar nga presidenti aktual i Dinamos, Besnik Sulaj - jo vetëm me rezultat (1-0), por dhe me atë që paraqitën në “Adush Muça”. Bylisi i Hysen Dedjes, pas protestave për gjykim të njëanshëm, arriti të marrë tri pikë të arta, falë një kryevepre të fantazistit vlontjat Roland Nënaj në minutën e 65-të, por Hodo, Kapaj e Bakiu, i kishin të gjitha mundësitë për të dyfishonin rezultatin ndaj një Dinamoje shumë të zbehtë e pa asnjë rast në drejtim të portës së maqedonasit Mirçelvoski. Kjo ishte dhe fitorja e tretë në fazën e parë e ballshiotëve (e dyta për Dedjen si trajner), por ajo që vlen të theksohet se ndaj ekipeve kryeqytetase Bylisi është ekipi me rezultatet më të mira: 0-0 me Tiranën në Ballsh (java 6), 1-1 me Partizanin në kryeqytet (java 7) dhe tani 1-0 me Dinamon në Ballsh, për javën e 11-të. Me humbjen ne Ballsh, Dinamo ruajti pozicionin e saj në tabelë (e katërta, 17 pikë), por tashmë më e shkëputur nga dy vendet e para të mbajtura nga Tirana e Vllaznia, respektivisht me 22 e 21 pikë.
16 Nentor 2008