E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kafe me Cekën, lë pas dore aleatët

Kryeministri Sali Berisha ka gjetur më në fund kohën për të takuar një nga kryetarët e partive të vogla të kampit të majtë. Ndërkohë që të djathtët e vegjël i ka lënë në "harresë", Berisha ka pirë dje qetësisht një kafe në një nga hotelet e Tiranës me ish-mikun e tij të vjetër, Neritan Cekën, kryetar të PAD-së. Takimi disa minutash është konfirmuar edhe nga kreu i Aleancës Demokratike, i cili u shpreh se "ishte takim informal, takim miqsh, ku u bisedua për gjëra të përgjithshme dhe jo specifikisht për ngjarje të fundit të politikës". Ceka gjithashtu i ka paraprirë çdo tentative për përfshirjen e tij në qeveri, duke pranuar hapur se "nuk do të jetë pjesë e kabinetit Berisha". Është pranuar nga deputeti Ceka se është diskutuar për çështje të përgjithshme, por, gjithsesi, ngelet ende mister, tematika e këtyre çështjeve në thelb. Rreth detajeve të këtij takimi, kryetari i një prej partive të vogla të spektrit të majtë u shpreh se "ishte një takim mes një Kryeministri dhe një kryetari partie".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›