E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sulmon Ahmedinexhad: Meriton një ndëshkim popullor

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar fuqishëm kreun e shtetit iranian, Mahmud Ahmedinexhad, duke goditur ashpër mbrojtjen që Presidenti i Iranit ka bërë ndaj Holokaustit nazist. Qëndrimi i shefit të qeverisë shqiptare kundër numrit një të Iranit, është bërë gjatë një konference me temën "Shqipëria, shqiptarët dhe Holokausti, një çështje brenda kontekstit". Në këtë takim, Berisha ka bërë të ditur edhe arsyet e qëndrimit të tij kundër njeriut që është konfliktuar me pushtetarët më të mëdhenj të globit. "Klithmat e një kryetari shteti, i cili e deklaron Holokaustin një falsitet dhe ky është Presidenti i Iranit dhe zëra të tillë, janë sirena që meritojnë ndëshkim të vërtetë, meritojnë ndëshkim, sepse shtimi i tyre mund të bëhet ndëshkues për të tjerët", u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, kjo sakrificë e pashembullt në histori është një apel i madh kundër të gjitha formave të racizmit, ksenofobisë, urrejtjes, intolerancës, që vijnë si një ofendim dhe lëndim i rëndë i ndërgjegjes së njerëzimit.

Kryeministri cilësoi se Holokausti është një moment i thellë reflektimi jetik, të cilin duhet ta rikujtojmë jo vetëm për të nderuar viktimat, por edhe për të pasur një të ardhme në liri dhe të sigurt. Gjatë Holokaustit humbën jetën mbi 6 milionë njerëz vetëm për përkatësinë e tyre hebrenje. Shefi i qeverisë, Sali Berisha, theksoi se historia e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Shqipërisë është një histori për t‘u ndriçuar. "Përpjekjet dhe qëndrimi shqiptar për të shpëtuar qytetarët hebrenj nga ai gjah i pashembullt, nuk ishte vetëm i qytetarëve, ndaj shpresoj që historia të ndriçojë të gjitha aspektet e këtij qëndrimi. E vërteta është se ky ishte qëndrim i të gjithë faktorëve shqiptarë, që në mënyra të ndryshme nuk e lejuan gjahun ndaj hebrenjve, por iu përmbajtën parimit, sipas të cilit, për shqiptarët, pas Zotit, miqësia është institucioni bazë i ko0mbit", tha Berisha. Kryeministri vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Izraelit. "Në 17 vjet janë zhvilluar marrëdhënie të gjithanshme. Vizita politike të nivelit më të lartë dhe shkëmbimet në të gjitha fushat janë dëshmi e këtyre marrëdhënieve", tha Kryeministri, duke shprehur bindjen se "procesi i paqes në atë rajon, me gjithë vështirësitë e mëdha, do të njohë zhvillime gjithnjë e më pozitive". Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "Izraeli ka pranuar dhe pranon shtetin e pavarur palestinez, por Izraeli nuk mund të pranojë fondamentalistët, të cilët kanë vetëm një synim, atë që kishin nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e kanë shpallur publikisht atë". Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri shprehu bindjen se "edhe populli mik palestinez do të arrijë të shkëputet prej tyre dhe Palestina do të jetë një vend demokratik, në interesin më të mirë të kombit palestinez, të paqes në Lindjen e Mesme dhe në botë". Posaçërisht, në konferencën e djeshme, kreu i qeverisë shqiptare ka veçuar se "Shqipëria tashmë ka nxjerrë në pah qëndrimin e saj, që gjatë viteve të vështira për hebrenjtë ka qenë periudha më e zezë në ndërgjegjen e qytetërimit të njerëzimit. Shqipëria në ato vite nuk mori pjesë në këtë proces, por e ka trajtuar dhe mbrojtur komunitetin hebre, duke vënë përpara çdo gjëje tjetër virtytin e besës, por edhe tolerancën fetare e ndëretnike që e karakterizon kombin tim", tha ai. "Dëshiroj t‘ju përgëzoj shumë përzemërsisht për organizimin e kësaj konference, në të cilën ju trajtoni ndoshta momentin më tragjik të historisë së njerëzimit, Holokaustin, barbarinë për të zhdukur një komb vetëm e vetëm nga pozicione raciste, pavarësisht nga kontributet e tij thelbësore në tërë historinë e njerëzimit", u shpreh Berisha. Kryeministri e konsideroi Holokaustin një moment tejet të rëndësishëm kujtimi dhe reflektimi për mbarë njerëzimin, për paqen dhe dinjitetin njerëzor.

Pjesëmarrësit

"Holokausti, një moment i thellë reflektimi"

Nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe Institutit Ndërkombëtar të Studimeve mbi Holokaustin, Yad Vashem, u zhvillua dje në Tiranë Konferenca "Shqipëria, shqiptarët dhe Holokausti". Berisha u shpreh se kjo konferencë kujton një nga zhvillimet më tragjike në historinë e njerëzimit, Holokaustit, që është një moment reflektimi për të gjithë. Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe kryetari i Kongresit Botëror të Hebrenjve, ambasadori Mordechai Arbell, ambasadorja e Izraelit, Amira Arnon, diplomatë, historianë, studiues vendas dhe të huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›