E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia: Shqipëria ka ende punë për të bërë për liberalizimin e vizave



Qeveria e Italisë mendon se Shqipëria dhe Bosnja janë ende larg procesit të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian dhe kanë ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim për të arritur standardet e vendeve tjera fqinje si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, për të cilat, më 1 janar të vitit të ardhshëm hyn në fuqi marrëveshja e heqjes së vizave me vendet e BE-së. Deklaratën e ka bërë dje ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, Roberto Maroni, i cili, gjatë fjalës që mbajti në Konferencën IX të ministrave mbi emigracionin e paligjshëm, kriminalitetin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin, të zhvilluar në Brodo të Sllovenisë, paraqiti veprimtarinë e qeverisë së Romës mbi këto tema, si dhe komentoi situatën në Shqipëri. Përveç ilustrimit të punës së bërë për të frenuar mbërritjen e emigrantëve nga Libia, ai përmendi edhe çështjen e vizave për shtetasit e rajonit ballkanik. Sipas ministrit, procesi i liberalizimit të vizave, i filluar përpara gjashtë vjetësh, është një nga mjetet e luftës kundër hyrjes së emigrantëve të paligjshëm nga vendet ballkanike. Ministri Maroni tha se tani për tani Maqedonia është në rregull me standardet europiane, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia janë pranë arritjes së këtyre standardeve. Por, sipas tij, Shqipëria dhe Bosnja kanë akoma shumë hapa për të bërë. Ai shtoi se Italia është e gatshme të ndjekë Shqipërinë në mënyrë që nga 1 janari i vitit 2010 ajo të përshtatet me normat që duhen për liberalizimin e vizave.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›