Berisha, kandidati i vetëm për kreun e PD-së
23/03/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje, në një intervistë për "Top Chanel", se deri më tani nuk ka dalë asnjë individ brenda partisë së tij që ta rivalizojë në zgjedhjet për kreun e partisë. Berisha tha se ai vetë nuk mund të stisë kandidatë për këtë përballje, por dha garanci se çdo individ që do të dojë të kandidojë përballë tij do t'i krijohen të gjitha kushtet. "Për fat të keq, deri më tani nuk ka dalë asnjë kandidaturë për të kandiduar përballë meje në kuvendin kombëtar. Garantoj se për kryetarin e PD-së mund të garojë gjithsecili, dhe unë premtoj se do t'i krijohen që të gjitha kushtet e kandidimit dhe të bërit fushatë nëpër degët e partisë në rrethe. Unë vetë nuk mund të sajoj kandidatë se ajo pastaj nuk do të quhej garë", tha Berisha. Deklarata e Berishës vjen vetëm një muaj përpara zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku delegatët do të votojnë për kryetarin e të Partisë Demokratike. Berisha në fjalën e tij ripërsëriti dhe një herë premtimin se do të japë dorëheqjen, në rast se humbet zgjedhjet, por nga ana tjetër pranoi se në rast fitorje të PD-së, do të jetë ai kryeministri i vendit. Gjatë intervistës, Berisha u shpreh i sigurt në fitoren e PD-së, duke thënë se një ndër objektivat madhorë të PD-së pas zgjedhjeve do të jetë lufta kundër korrupsionit, reduktimi i varfërisë dhe ngritja ekonomike e vendit.