E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta kërkon fitoren në njësinë bashkiake 1 në Tiranë

23/03/2005  Kryetari i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me drejtues dhe anëtarë të LSI-së, në zyrën e kësaj partie në Zonën Zgjedhore nr.34 në Njësinë Bashkiake nr.1 në Tiranë. Gjatë këtij takimi, Meta përgëzoi anëtarët e LSI-së për pjesëmarrjen e gjerë në votimet e zhvilluara deri tani, duke i ftuar ata të marrin pjesë sërish edhe në votimet që do të zhvillohen me 26 mars për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së. Meta u shpreh se pjesëmarrja e lartë e anëtarësisë së LSI-së në këtë votim, do të ishte një inkurajim dhe nxitje për të drejtuar LSI-në me përkushtim dhe përgjegjësi dhe në katër vitet e ardhshme. Ndërkohë është bërë e ditur se anëtarët e LSI-së në këtë zonë kanë kërkuar që Sokol Nako të jetë kandidati për deputet në zonën e tyre. Vetë Meta është shprehur se LSI pretendon fitoren në mazhoritar në këtë njësi, pasi mbështetja është tepër e madhe. Gjithashtu nga zyra e shtypit është bërë e ditur se Lëvizja Rinore për Integrim, ka siguruar mbështetjen e simotrave të saj në rajonin tonë. Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të 7-të të Organizatës të të Rinjve Socialistë Evropianë, me temë “Për një Evropë sociale që punon”, përfaqësuesit shqiptarë të LRI-së kanë marrë vlerësim dhe mbështetje për promovimin e vlerave të socialdemokracisë në rininë shqiptare. Kongresi i 7-të i të rinjve socialistë ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku theksohej se "të rinjtë evropianë socialistë dhe socialdemokratë janë të shqetësuar për tensionet etnike dhe fetare të mbetura akoma në rajonin e Ballkanit dhe mbështesin fuqimisht partnerët tanë nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi në përpjekjet e tyre për të ndërtuar shoqëri multietnike dhe demokratike, përmes tolerancës dhe paqes. Një vëmendje të veçantë duhet të zërë Kosova si një zonë me përqindjen më të madhe të të rinjve në rajon".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›