E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shehu: Rikthimi i themeluesve në PD është një hap pozitiv

23/03/2005  Reformatorët përshëndesin veprimin e Pashkos, Rulit, Imamit dhe Zogajt

Nëkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, e ka konsideruar rikthimin e të larguarve nga PD-ja si një hap pozitiv të kësaj partie drejt hapjes së saj. Sipas tij, rikthimi i të ikurve tregon se PD ka hequr dorë nga politika e largimit dhe e mbylljes. "Unë e shoh si një hap pozitiv rikthimin e Rulit apo Pashkos në PD. Kjo tregon se PD-ja ka hequr dorë nga politikat e largimit dhe të mbylljes së saj", tha Shehu. Nga ana tjetër, nënkryetari i PDR-së nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me PD-në. "Ne kemi deklaruar se kemi qenë dhe jemi të hapur për bashkëpunimin mes partive të opozitës", tha Shehu. PDR-ja është një parti e formuar kryesisht nga ish-anëtarë të Partisë Demokratike dhe rikthimi i Rulit, Pashkos, apo Imamit dhe Zogajt në PD ka zgjuar shpresat e këtyre të fundit për një bashkëpunim mes dy partive respektive. Më datë 24 mars, PD-ja ka thirrur në tryezë kryetarët e grupeve parlamentare të partive të opozitës për të diskutuar për afrimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë tryezë priten dhe diskutime për aleanca të mundshme mes partive opozitare, ku shanset më të mëdha për të bërë koalicion me PD-në i kanë reformatorët. Tentativat për të hyrë në bisedime me PD-në janë kryer dhe më parë nga kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka dhe kanë vazhduar më pas me letrën që Pollo i dërgoi Berishës, si ftesë bashkëpunimi. Nga ana e tyre, demokratët dhe vetë kreu i PD-së, Berisha, nuk e kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit, por kanë kërkuar nga PDR të jenë të arsyeshëm në kërkesat e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›