E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA tërheq vëmendjen për zgjedhjet

23/03/2005  Vulchanov: Listat zgjedhore janë ende problematike

Qeveria amerikane dhe Komisioni i Helsinkit kanë zhvilluar për të dytën herë, brenda disa muajve, seancën dëgjimore për problemet që ekzistojnë në Shqipëri mbi zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Zhvillimi i votimeve të lira e të ndershme ka qenë shqetësimi i të gjithë përafqësuesve të institucioneve që marrin pjesë në këtë seancë dëgjimore. Përfaqësuesi qeverisë amerikane dhe Komisionit të Helsinkit, Sean Voo, ka vënë theksin në vëmendjen që që po i kushtohet Shqipërisë në përgatitjet që po bën për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike. Shefi i OSBE/ODHIR-it, Nikolai Vulchanov, gjatë fjalës së tij tha se "në Shqipëri, ka disa probleme komplekse, lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një ndër problemet më të diskutueshme dhe i hapur për t'u debatuar është lista e zgjedhësve. Pasi mendohet se ndoshta edhe në këto zgjedhje në Shqipëri, nuk do të ketë një listë zgjedhësish që të përfshijë të gjithë votuesit shqiptarë". Vulchanov e ka cilësuar si shqetësuese faktin se në Shqipëri, "listat mbështeten në draftin e hartuar në zgjedhjet lokale të vitit 2003, kështu zgjidhja mbetet problematike". Një problem shqetësues për drejtoreshën e Institutit Ndërkombëtar për Demokracinë, Jennifer Butz, ka qenë dhunimi i së drejtës së votës. Sipas saj "në Shqipëri është evidentuar se në zonat ruarale dhe ato të largëta kryesisht, familjet kanë vetëm një përfaqësues që voton për gjithë familjen". Gjithashtu Butz tha se "në vend është e kufizuar liria e gazetarëve, pasi ata kanë frikë nga hakmarrja dhe nga gjithpushteti i atyre që komandojnë mediat". Përfaqësuesi i Institutit Ndërkombëtar Republikan, Nesti Gjeluci, ka kërkuar që "të hiqet dorë nga praktikat demode të vlerësimit të zgjedhjeve në Shqipëri". Sipas tij, "komuniteti ndërkombëtar është mjaftuar me një vlerësim abstrakt që këto 'zgjedhje, kanë qenë më të mira se të kaluarat ndaj duhet t'i pranojmë'. Kështu, atje gjithmonë janë marrë si shembull zgjedhjet e 1997-t dhe mbas tyre të tjerat kanë qenë të mira. Kjo praktikë nëse vazhdon të ndiqet, është mëse e gabuar. Ato nuk rrisin standardet dhe nuk japin premisa për zgjedhje të lira e të drejta në Shqipëri", tha Gjeluci. Qeveria amerikane seancën dëgjimore e ka konsideruar "një thirrje serioze që i bëhet të gjitha frocave politike në Shqipëri, që ato në mënyrë adekuate të kontribojnë të respektohet vullneti i popullit shqiptar për të mbajtur zgjedhje të drejta e të lira". Në këtë mënyrë, Qeveria amerikane thekson se do të qëndrojë e vendosur për të kërkuar që në Shqipëri të mbahen zgjedhje, sipas parametrave demokratik, duker i kërkuar dhe qeverisë shqiptare që të tregohet e përgjegjëshme para votuesit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›