E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOP: Referendum për ligjin 7501

23/03/2005  Besnik Aliaj thotë se shqiptarët duhet të shprehen për çështjen e pronave

Referendumi mbarëpopullor, tri muaj pas zgjedhjeve parlamentare, është formula më e fundit për të zgjidhur çështjen e pronësisë. Shqiptarët duhet të zgjedhin nëse janë për abrogimin e ligjit 7501 për tokën, ose për kompensimin me mënyra të tjera të ish-pronarëve. Anëtari i Komitetit të Orientimit të Politikave, strukturë pranë PD-së, Besnik Aliaj, tha, për "Metropol", se abrogimi ose jo i ligjit 7501 për pronat nuk duhet të lihet më në përgjegjësinë e partive politike, por duhet të zgjidhet me referendum. Aliaj shprehet se kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga asnjë forcë politike, sado e lartë të jetë përqindja elektorale e saj. Sipas tij, për abrogimin e ligjit të hartuar nga PD-ja në vitin 1993 duhet të vendosë një referendum mbarëpopullor, që mund të zhvillohet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Aliaj thotë se vendimi mbarëpopullor do të zgjidhte dhe kundërshtitë që kanë partitë, lidhur më këtë çështje.

Qëndrimi

Anëtari i Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike, Besnik Aliaj, njëkohësisht dhe hartues i strategjisë për ndarjen territoriale, shprehet se moskthimi i pronës te pronari do të mbante peng integrimin e vendit, si dhe do të pengonte investimet. "Asnjë politikan dhe asnjë forcë politike, sado të lartë që ta ketë përqindjen e mbështetësve, nuk është në gjendje të abrogojë ligjin 7501. Abrogimi i tij do të sillte destabilizim të vendit dhe pakënaqësi. Unë jam i mendimit se askush nuk e ka të drejtën morale të zgjidhë këtë çështje, përveç vetë shqiptarëve. Në rast se shtetasit vendosin me një referendum për ta rrëzuar ligjin 7501, atëherë kjo do zgjidhte shumë pikëpyetje, si dhe do të na lironte nga "litari", i pronave që po na mban varur prej kaq vitesh", thotë Aliaj.

Kompensimi

Sipas anëtarit të KOP, kthimi dhe kompensimi i pronave në masën 100% duhet të jetë çështja e parë që duhet të zgjidhë në fillim çdo parti politike, pasi të marrë pushtetin. Ai thotë se, vënia në vend e padrejtësisë të bërë nga regjimi i kaluar duhet të bëhet që në hapat e parë të pushtetit të ardhshëm. "Para çdo grupi tjetër shoqëror, të shpronësuarve duhet t'u jepet prioritet. Ata duhet të sqarohen për mënyrat e kthimit apo të kompensimit të tokave. Asetet nuk mjaftojnë për të kompensuar të gjithë të shpronësuarit, prandaj duhen gjetur rrugët dhe mënyrat për ta bërë një gjë të tillë. Në rast se ne jemi në gjendje që brenda 7501-it të arrijmë këtë gjë, atëherë pronarët duhet të sqarohen për rrugët dhe mënyrat se si do konkludohet, në rast se jo, atëhëre abrogimi i këtij ligji duhet t'i lihet në dorë shtetasve", tha Aliaj. Gjithsesi, sipas tij, kthimi dhe kompensimi i pronave në masën 100 për qind është plotësisht i mundur në rast se ekziston vullneti politik.

Deklarata

Vetëm pak ditë më parë, lideri demokrat, Sali Berisha, deklaroi se PD nuk do ta abrogojë ligjin 7501 për pronat, në rast se fiton zgjedhjet. Sipas tij, do të gjenden rrugët brenda ligjit ekzistues për të bërë të mundur zgjidhjen e këtij problemi. Kthimi dhe kompensimi i pronave në masën 100 për qind është paraqitur në strategjinë e PD-së, por specialistët shprehen se pa abrogimin e ligjit 7501, ky premtim është tejet i vështirë të zbatohet. Sipas tyre, bëhet fjalë për pronarët e mëdhenj të tokave, pasi të tjerët në përgjithësi, ose u janë kthyer pronat, ose janë kompensuar.

Berisha: Nuk e abrogojmë 7501

Gjatë prezantimit të strategjisë së Partisë Demokratike për Bujqësinë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se opozita nuk ka ndërmend të ndryshojë ligjin 7501. "Po ju premtoj, në mënyrë solemne, se ardhja jonë në pushtet nuk do ta ndyshojë ligjin 7501. Ne jemi shprehur për kthimin dhe kompensimin e pronave te pronari, por do të gjenden format dhe mundësitë që ky proces të bëhet i mundur brenda këtij ligji", tha Berisha. Deklarata e Berishës, e bërë në një moment parazgjedhor, nuk u prit mirë jo vetëm nga aleatët e tij republikanë, por edhe nga një pjesë e anëtarësisë brenda PD-së. Kthimi dhe kompensimi i pronave është një ndër pikat kyçe në strategjinë e hartuar nga KOP për administrimin e territorit. Në këtë strategji thuhet se një nga objektivat e PD-së, pas marrjes së pushtetit, është kthimi dhe kompensimi i pronave 100 për qind te pronari. Hartuesit e startegjisë janë të mendimit se moszgjidhja e këtij problemi bëhet pengesë për thithjen e investimeve të huaja në vend, si dhe mban peng vendin në integrimin drejt strukturave evropiane.

Mediu: Po presim PD për tokat

Deklarata e kreut demokrat, Sali Berisha, për mosabrogimin e ligjit 7501 dhe në rast se opozita fiton zgjedhjet, solli një ftohje mes PD-së dhe aleates së vetme, Partisë Republikane. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, tha se republikanët janë të vendosur në qëndrimin e tyre për abrogimin e ligjit 7501. "Ne jemi të vendosur në qëndrimin tonë për abrogimin e këtij ligji. Lidhur me qëndrimin tonë pas kësaj deklarate, do të presim dhe shpjegimet e Partisë Demokratike, lidhur me këtë çështje dhe atëherë do të veprojmë", tha Mediu. Republikanët, që në krijimin e tyre, e kanë bazuar strategjinë e tyre elektorale pikërisht në abrogimin e ligjit 7501 dhe në mbrojtje të interesave të pronarëve. Pas deklaratës së Berishës, e cila bie ndesh me interesat elektorale të republikanëve, u vu re një ftohje mes liderit demokrat, Berisha dhe kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu. Berisha tha se ligji 7501 është një kundërshti, që dy partitë e opozitës e kanë që nga krijimi i tyre dhe se deklarata e tij nuk do të ndikojë në prishjen e aleancave. Nga ana e tij, kreu i PR-së u shfaq në mitingun e organizuar nga opozita në sheshin "Skënderbej" në mbyllje të fazës së parë të fushatës elektorale "Ditët e Shpresës" përkrah liderit demokrat, Sali Berisha.

LZHK: Pronat, baza e programit

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, kthimin e tokës tek i zoti, e ka cilësuar si çështje bazë të programit të saj politik. Krerët e kësaj lëvizjeje kanë deklaruar se abrogimi i ligjit 7501 është një çështje e domosdoshme për t'u ndërmarrë. Nga ana tjetër është theksuar se në Shqipëri janë të gjitha mundësitë që pronarëve të rinj t'u jepet e drejta për të pasur tokë, ndërsa pronarëve të vjetër t'u kthehet ajo që u është marrë. Kjo mund të arrihet nëpërmjet rishikimit të vendimeve që janë marrë nga viti 1993 deri në vitin 2002. Maksim Begeja, në një qëndrim të tij, është shprehur se rreth 100 mijë ha tokë janë ndarë në kundërshtim me të gjitha ligjet. Ndaj, ai ka kërkuar që Komiteti i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave të zbatojë ligjin dhe të rishikojë këto vendime. Me shfuqizimin e tyre, do të krijohen hapësirat e duhura për kompensimin e ish-pronarëve dhe për bërjen pronar të të gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›