E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërcënon Ramën: “Nëse nuk ul taksat, do të ndërhyj me ligj”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri u shpreh se më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10 %, ndërsa ne do të bëjmë rritjen më të madhe të pagave, që kemi bërë ndonjëherë. Berisha paralajmëroi, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, se qeveria do të ndërhyjë në mbrojtje të biznesit të vogël, ndaj të cilit disa nga njësitë e qeverisjes vendore kanë rritur taksat në mënyrë të ndjeshme. “Marr sinjale të njëpasnjëshme se në disa bashki dhe komuna të vendit, ndërkohë që qeveria i ka ulur taksat deri në masën 50 %, autoritetet vendore kanë rritur në mënyrë të ndjeshme disa lloje taksash mbi biznesin. Të rrisësh taksat për biznesin e vogël në këtë periudhë, është një masë jashtëzakonisht e dëmshme për ta, për punësimin dhe vjen në një kundërthënie të hapur me përpjekjet e qeverisë për të amortizuar pasojat e krizës, për të mos thënë se vjen në një kundërthënie të hapur me filozofinë tonë të taksave të ulëta. Unë u bëj thirrje qeverive vendore që ta rishikojnë edhe vetë këtë problematikë, por njëkohësisht i siguroj se ne do të ndërhyjmë në favor të biznesit të vogël sepse është bërë e domosdoshme”, - u shpreh kryeministri Berisha. Më tej, Kryeministri solli në vëmendje se edhe vitin e kaluar është ndërhyrë në mbrojtje të biznesit të vogël, pasi u shfaq tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit, etj. Duke iu drejtuar zyrtarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve, kryeministri Berisha u shpreh se është detyrë e të gjithëve që të marrin masa për të amortizuar pasojat e krizës në vend. “Është detyrë e të gjithë zyrtarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve, që të marrin masa për të amortizuar pasojat e krizës në vend. Pra, rritja e taksave mbi biznesin e vogël është realisht e rrezikshme. Ata aq e kanë kapacitetin dhe nuk duhet t u shtohen taksat në asnjë mënyrë. Ne mund të shqyrtojmë me shumë seriozitet këtë politikë, por dëshiroj që qeveritarët vendorë të ndërhyjnë edhe vetë, si vullnet i tyre antikrizë. E gjithë bota, për stimuj fiskalë i ul taksat, dhe ne e kemi bërë më mirë se të gjithë këtë me taksat kombëtare. Por tani është shumë e papranueshme që qeveritë vendore të dalin dhe të rrisin taksat në këtë mënyrë. Kjo do të thotë të shkatërrohen progresivisht vende pune, do të thotë të frenosh investimet. Unë dua të informoj biznesmenët e vegjël se qeveria ka 4-fishuar grantin për qeveritë vendore. Pra, kjo qeveri ka 4-fishuar grantin, çka do të thotë se qeveritë vendore për asnjë arsye nuk kanë për të qenë abuzive me barrën fiskale ndaj biznesit të vogël”, - u shpreh kryeministri Berisha. Duke iu referuar recesionit ekonomik, Berisha theksoi se “më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10 %, të tilla janë vendet balltike, Irlanda dhe shumë vende të tjera, sepse parashikimet buxhetore, për shkak të krizës së recesionit, nuk realizohen. Ndërsa ne do të rrisim pagat dhe do të bëjmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë”. Drejtuar ministrit të Financave, kryeministri Berisha u shpreh se “si sot dy javë, në mbledhjen e qeverisë, do të përcaktojmë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj kësaj manie të rritjes së taksave ndaj biznesit të vogël.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›