E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen vizat, kush ka Shengen , përfshi edhe shtetasit jo anëtarë të BE-së

Autori i Lajmit: red.
Në Shqipëri do të hyjnë së shpejti pa vizë të gjithë shtetasit e huaj që marrin vizë Shengen . Gjatë mbledhjes së qeverisë, kreu i qeverisë, Berisha, propozoi këtë standard të ri, që e konsideroi të domosdoshëm për Shqipërinë. Kryeministri sqaroi se kjo mundësi nuk bën fjalë për vendet e “Shengenit”, sepse me ta Shqipëria nuk ka viza, por për qytetarët e atyre vendeve që marrin viza “Schengen”. “Ne, si vend i vogël që jemi dhe që nuk do të mundemi të mbulojmë ndonjëherë planetin me shërbim konsullor, duhet të shohim disa standarde të tjera, që do të thotë se në Shqipëri mund të vijnë pa viza të gjithë ata shtetas të huaj që marrin viza “Schengen”, kudo që ata ndodhen. Pra, qytetarët e çdo vendi, që janë të pajisur me vizë “Schengen” mund të vijnë edhe në Shqipëri me atë vizë. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë, sepse nuk besoj të ketë vend që të mos ketë ambasadë apo konsullatë të vendeve apo të ndonjë vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Kjo mundësi nuk bën fjalë për vendet e “Shengenit”, sepse me ta ne nuk kemi viza, por për ato vendeve që marrin viza “Schengen”. Këtë standard e ka përdorur Zvicra dhe për mendimin tim është një standard i mençur”, - u shpreh Kryeministri. Drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Berisha kërkoi që më pas, të negociohet me Komisionin Evropian, si dhe me ndonjë vend tjetër, në mënyrë që qytetarët që pajisen me viza për në atë vend, t i kenë të vlefshme edhe për Shqipërinë. "Ne jemi vend që kemi vetëm 2 ambasada në Afrikë, dhe për të ardhur në Shqipëri, një shtetas që jeton në Afrikën e Jugut i duhet ta marrë vizën në Egjipt", - u shpreh Berisha, duke e konsideruar këtë të papranueshme. Më tej, kryeministri Berisha kërkoi që të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve, qytetarët e të cilave pajisen me viza në kufi. “Duhet të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve, qytetarët e të cilave marrin viza edhe në kufi. Ishte një kohë e artë, kur vizat merreshin vetëm në kufi, por ka qenë shumë kohë përpara. Pra, këtë regjim duhet ta shohim me përparësi. Për shumë vende ne i kemi hequr fare vizat, ndërsa për disa të tjerë duhet të përcaktojmë marrjen e vizave në kufi”, u shpreh kryeministri Berisha.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›