Kryeministri fsheh krimet për pushtetin e tij
Kryeministri Sali Berisha, i gjendur qartazi në një pozitë mjaft të vështirë politike për shkak të publikimit nga media të një serie dokumentesh që e lidhin atë dhe njerëzit afër tij me afera të pastra korrupsioni me një nga personazhet e njohura të botës së krimit në Ballkan dhe më gjerë, në një përpjekje mjerane për të dalë i larë nga kjo histori ka kërcënuar mbrëmë në Kuvend deputetët e opozitës, por edhe të pozitës, se nëse kërkojnë mocion mosbesimi ndaj tij, ai do të publikojë filmime, përgjime, foto etj., komprometuese për ta. Këto kërcënime jo vetëm vërtetojnë tërësisht se kryeministri ynë gjendet i përfshirë “kokë e këmbë” në këto afera skandaloze korrupsioni, por edhe se ai është i vendosur me çdo mjet e mënyrë që të mbajë pushtetin. Përtej skandaleve të aferave të njëpasnjëshme korruptive në të cilat prej tre vitesh gjendet e zhytur qeveria, shihet qartazi se kryeministrit tonë nuk i ka mbetur asnjë degë ku mund të varë ndërgjegjen e pastër qeverisëse. Për të mbajtur me çdo kusht e çmim pushtetin, ai i është kthyer tani politikës së shantazhit duke kërcënuar deputetët me dosje e filmime, përgjime e plot gjëra të tjera të këtij karakteri. Kryeministri ynë, i cili duhet të ishte në ballë të denoncimeve të aferave korruptive të çdo pushtetari, me apo imunitet, është kthyer në fshehës të këtyre skandaleve, me qëllimin e vetëm për t’i përdorur ato kur e ndien se po i kërcënohet pushteti. As më shumë dhe as më pak kryeministri Berisha është kthyer në fshehës të provave, duke konsumuar me këtë rast edhe veprën penale të fshehjes së figurave kriminale. Për çdo mendje normale është thuajse e pabesueshme që kreu i qeverisë të deklarohet në Kuvend se fsheh provat e krimeve që janë bërë në këtë vend, me qëllimin e vetëm për të ruajtur karrigen e tij të pushtetit. Që në ditët e para të qeverisjes se kryeministrit Berisha u pa qartë se qeveria e tij jo vetëm nuk kishte ndër mend të luftonte korrupsionin. Janë një seri aferash të publikuara në mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare që kthjellojnë qartësisht faktin se qeveria e PD-së kishte si qëllim të vetëm pasurimin me shpejtësi marramendëse duke mos kursyer në këtë babëzi jo vetëm arrogancën, por edhe jetën e njerëzve. Kërcënimet e lëshuara mbrëmë nga kryeministri ndaj deputetëve se nëse guxojnë të kërkojnë mocion mosbesimi ndaj tij, ai do të publikojë dosje dhe filmime të tyre, na bindin plotësisht se në moralin e kësaj qeverie nuk janë duart e pastra, por duar shumë të pista, të cilat ndyhen çdo ditë në afera të pastra korrupsioni. Shihet qartë se kryeministri është i vendosur të mbajë me çdo mjet dhe mënyrë pushtetin, qoftë për disa vite, qoftë dhe për pak orë a minuta. Sa më shumë shtohet zullumi i kësaj qeverie dhe i kryeministrit, aq më shumë situata në vend bëhet e frikshme dhe se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë të kërcënuara. Një kryeministër që fsheh krimin mund të bëjë gjithçka.
7 Tetor 2008