E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosi i RUDNAP-it: “Me Tom Rixhin dhe Damir Fazlliçin diskutuam mbi tregtinë e armëve”

Intervista e Vojin Lazareviçit, që bëri xhiron e botës. Çfarë tha Lazareviçi për atë që u quajt “darka sekrete”

Quhet Vojin Lazareviç dhe është kryedrejtori i bordit drejtues së kompanisë “RUDNAP”. Jo më larg se shtatori i vitit 1997, gazeta “Slobodna Bosnia” u hap me një kryeartikull në të cilin flitej për një darkë sekrete të zhvilluar po atë muaj mes disa njerëzve shumë të pushtetshëm të mbledhur dhe të thirrur nga Farudin Radonica, një pronar i fuqishëm mediash në Bosnjë, i përfolur për lidhje dhe shantazhe për tendera. Bëhej fjalë për një takim ku ishin të pranishëm Vojin Lazareviçi, bosi i “RUDNAP”; Nexhat Brankoviç, kryeministër i Bosnjës; Tom Rixh lobit, amerikan; Damir Fazlliç, biznesmen dhe Almir Dzhuvo, kreu i shërbimeve sekrete të Bosnjë-Hercegovinës. Artikulli krijoi sensacion të madh dhe si për të mësuar diçka më tepër televizioni shtetëror boshnjak i mori një intervistë televizive bosit të RUDNAP-it, Vojin Lazareviç. Në një nga të paktat prononcime publike, Lazareviçi hodhi dritë mbi takimin duke pohuar detaje që krijuan shumë sensacion në Bosnjë dhe në Serbi. Për cilindo kureshtar videoja gjendet dhe online(në adresën: http://www.youtube.com/ëatch?v=uSGMOaNQ_Tk&eurl=http://www.24sata.info/9867)

(Pjesë nga biseda e transkriptuar)

... Cilat janë kontaktet tuaja me Farudin Radonicën?

Me zotin Radonica pata kënaqësinë të takohem sepse ai është një biznesmen i suksesshëm dhe një investitor i rëndësishëm në fushën mediatike.

Bëtë ndonjë marrëveshje bashkë?

Jo, nuk arritëm në ndonjë marrëveshje. Ai operon në media dhe s’kemi ndonjë lidhje bashkë. Por pata kënaqësinë të takoja zotin Tom Rixh, i cili ka qenë këshilltar i presidentit Bush për sigurinë. Zoti Rixh mendoj se është pranë disa firmave amerikane që kanë interes për të operuar në sektorin e tregut të armatimeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe patëm mundësinë të bisedonim për këtë. Pastaj folën dhe për investimet në energjetikë.

Thatë sektorin e tregut të armatimeve?

Epo folëm dhe për këtë, sepse shoqëritë që përfaqëson zoti Rixh, në këtë sektor operojnë kryesisht.

Me këtë po thoni se është shfaqur interes për të investuar në këtë lloj industrie?

Këtë nuk mund ta them unë... Shikoni, shikoni, kjo është pyetje vërtet interesante, por unë me këtë lloj industrie s’jam marrë ndonjëherë.

Po çfarë mund të mbledhë së bashku në një darkë pune biznesmenë si ju, si zoti Radonica, si zoti Fazlliç, apo lobistë si Tom Rixhi, apo dhe shefin e shërbimeve sekrete boshnjake, Almir Dzhuvo?

Po çfarë mund t’i mbledhë, unë e pashë si mundësi të mirë për të njohur kryeministrin e një vendi të rajonit si dhe zotin Rixh, që përfaqëson një njeri serioz në politikë dhe në biznes.

Pra ju po thoni që ishte i pranishëm dhe kryeministri Nexhat Rankoviç. E konfirmoni sërish?

Po, po. Ishte, ishte.

Në mediat serbe është shkruar se ju keni biznese dhe me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin.

E pranoj që kam pasur biznese me të. Por nuk është se kam pasur ndonjë miqësi apo shoqëri me zotin Raznatoviç. Kemi qenë të zënë në bizneset tona dhe kemi pasur disa ortakëri. Vetëm kaq.

Në fillim të viteve ‘90 keni qenë zëvendëskryetar i Partisë Nacionale të Malit të zi, që e ka mbështetur hapur Radovan Karaxhiçin. Kështu është?

Do të ishte mirë të kontrollonit njëherë. Nuk kam qenë kurrë zëvendëskryetar, por anëtar dhe financues. Më vonë, pas rrëzimit të Sllobodan Milosheviçit, mora post në këtë parti.

Jeni penduar për bashkëpunimet dhe qëndrimet tuaja në të kaluarën?

Jo, nuk mund të them se kam ndonjë pendesë për aktivitetin tim. Po shikoni...., se kohët ndryshojnë, njerëzit evoluojnë. Prandaj nuk bëhet fjalë për pendesë, por për evoluim do të thosha unë.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›