Qeveria rrit me 140 lekë në muaj masën e kompensimit të çmimit të energjisë elektrike
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për një ndryshim në vendimin “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”.
Ky vendim përcakton rritjen e masës së kompensimit financiar me 140 lekë në muaj për çdo përfitues, duke e çuar në total masën e kompensimit të energjisë elektrike në shumën 640 lekë/muaj për çdo përfitues, mbështetur në nivelin e ri të çmimit të miratuar nga ERE. Disa nga kategoritë që përfitojnë nga ky vendim janë: familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjarët që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të punësuar në sektorin publik apo privat; kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, pa të ardhura; familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë, në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.
8 Prill 2010