E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e mbeturinave, probleme në shëndetin e banorëve

08/04/2010 Çdo ditë hidhen 100 ton tek “Varrezat e Dëshmorëve”

SHKODER- Rikthehet problemi i hedhjes së mbeturinave pranë “Varrezave të Dëshmorëve” të Shkodrës. Ky problem shqetësues për banorët e lagjeve periferike informale “Mark Lula” të qytetit të Shkodrës përsëritet si rezultat i faktit se ende ky qytet nuk ka një vend të përshtatshëm për grumbullimin e të gjitha mbeturinave urbane. Janë rreth 100 ton në ditë që hidhen natën në periferi të qytetit duke vështirësuar së tepërmi jetesën e 80 familjeve me rreth 900 banorë, një pjesë të cilëve fëmijë. Ndërkohë ditët e ngrohta të kohëve të fundit, banorët e lagjeve periferike të qytetit të Shkodrës po i kalojnë me dritaret e shtëpive të mbyllura për shkak të tymit dhe erës së rëndë që vjen si pasojë e hedhjes dhe djegies së mbeturinave të qytetit në afërsi të banesave të tyre. Tymrat dhe gazrat e dalë nga plehrat që digjen në afërsi të “Varrezave të Dëshmorëve”, të ndodhura këto vetëm 3 km larg qytetit të Shkodrës, depërtojnë jo vetëm në lagjet në afërsi të vendit të hedhjes së mbeturinave, por edhe më tej. Në këto kushte, shprehen banorët, jetesa në këtë zonë është bërë e papërballueshme dhe njerëzit do të ishin të gatshëm dhe të linin shtëpitë e tyre të ndërtuara me aq mund e djersë nga fëmijët e tyre emigrantë. Por era e keqe është njëra anë e shqetësimit të banorëve të lagjes “Mark Lula”, pasi gjendja po bëhet gjithnjë dhe më e padurueshme nga djegia e mbeturinave sepse po u rrezikon shëndetin të gjithë banorëve rreth e rrotull zonës së djegies së plehrave, por sidomos fëmijëve, të cilët paraqesin shqetësime të vazhdueshme në frymëmarrje, por edhe nga sëmundjet infektive. Sipas mjekëve higjienistë, simptomat që vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit vihen re dukshëm tek pacientët, pavarësisht se nuk mund të jepen statistika të sakta për numrin e të prekurve nga ndotja e ajrit. Ndërkohë drejtuesit vendor të Shkodrës vazhdimisht janë shprehur se zgjidhja e këtij problemi mbetet një ndër prioritetet e bashkisë. Kohët e fundit është hartuar dhe projekti për sistemimin e zonës ku hidhen mbeturina dhe krijimin e lulishteve, por përsëri mbeturinat vijojnë të hidhen natën në të njëjtin vend që edhe u sheshua e u pastrua pak javë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›