E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deti “mësyn” tokën, pushton 8 metër plazh

08/04/2010 Seman, Ministria e Mbrojtjes pastron rërën nga bunkerët

FIER- Fenomenet natyrore kanë shfaqur impaktet e tyre dhe në bregdetin e Semanit. Prej vitesh deti vazhdon një betejë të heshtur me bregun duke i rrëmbyer atij dhjetëra metra. Ndryshimi i kufijve det-tokë tashmë është një dukuri e qartë jo vetëm për specialistët dhe ekspertët e mjedisit, por dhe për syrin e banorëve të thjeshtë. “Kjo kullë para 3-4 vjetësh ishte në rërë, tani ndodhet disa metra në thellësi të vijës së ujit. Sipërfaqja e brezit të rërës nga masivi i pishave deri te vija e ujit ishte mbi 35 m, tani nuk është as 12-13m”,-u shpreh A. Shqepa, banor i këtij fshati.

Për specialistët e mjedisit, beteja mes detit dhe tokës, futja e detit në tokë nuk ka qenë dukuri e panjohur, por ajo çka është shqetësuese, është ritmi i lartë i ndryshimit të kufijve tre –katër vitet e fundit e veçanërisht këtë vit. “Ka një ndryshim të madh gjatë këtyre viteve. Vija e ujit ka “kafshuar” rreth 200 m tokë në zonën e rërës. Kjo vjen jo vetëm nga shkaqet madhore, (si rezultat i ndryshimeve të theksuara klimaterike), por edhe për shkak të rrjedhës së 2 lumenjveVjosës dhe Semanit. Në grykëderdhje të këtyre dy lumenjve deti ka lënë sipërfaqe, ndërsa në zonën e plazhit ai është futur thellë në breg”,-tha inxhinieri i mbrojtjes së mjedisit dhe pyjeve në komunën Topojë, Genci Pena. Ndërkohë përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes kanë organizuar mesditën e djeshme një takim me krerët e komunës Topojë për largimin e qendrave të zjarrit nga bregdeti i Semanit. Ata kanë inspektuar bashkarish zonën, duke parë nga afër situatën dhe përcaktuar detyrat konkrete për zbatimin e projektit.

“Aksioni për largimin përfundimtar të bunkerëve nga deti do të përfundojë para datës 15 maj me qëllim që sezoni i plazhit ta gjejë zonën e bregdetit të çliruar nga pasha e betoneve të qendrave të zjarrit”,- tha Nikoll Tushi oficer shtabi për infrastrukturën dhe mjedisin.

Gjithashtu një variant i dytë është që në bashkëpunim më bordin e kullimit ka një dëmtim të argjinaturës të lumit Seman ku ata janë të interesuar që këto bunkerë t’i vendosin aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›