Berisha kërkon vëzhgues nga SHBA-të për zgjedhjet parlamentare
Kryeministri Berisha i ka kërkuar dje zëvendëssekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Gordon Ingland, që të SHBA-të të shohin mundësinë për të vëzhguar procesin zgjedhor në Shqipëri. Kryeministri shqiptar ka garantuar se qeveria e tij është e angazhuar për të realizuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare. “E informova zotin Ingland për reformat politike, reformat ekonomike dhe reformat e gjithanshme, duke u ndalur veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme, ku shpreha vendosmërinë e qeverisë sime për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe parashtrova kërkesën për vëzhgues nga institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto zgjedhje”, - është shprehur Berisha. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare bëri gjithashtu të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në ndryshimin e vendit dhe në reformën në Forcat e Armatosura Shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Dua të veçoj këtu tre projekte, të cilat u ndërmorën në kuadër të Pragut të Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit: regjistrimi elektronik i biznesit, taksat elektronike, prokurimet elektronike, praktika të cilat kanë ndryshuar tashmë në Shqipëri dhe që u bënë një shtytje e madhe për ndryshime të mëdha në klimën e biznesit dhe në luftën kundër korrupsionit në vend. Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera dhe ne jemi krenarë me këto marrëdhënie dhe me këtë mbështetje”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj presidentit Xhorxh Bush, qeverisë së tij dhe kombit amerikan për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht nëpërmjet vendimit të fundit të Senatit Amerikan, i cili miratoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Topi dekoron me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” numrin dy të Pentagonit>
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar dje me Urdhrin “Gjergj Kastritoti Skënderbeu” numrin dy të Pentagonit, zëvendëssekretarin amerikan të Mbrojtjes, Gordon Ingland. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin përkatës me motivacionin: “Për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, ristrukturimin dhe transformimin e Forcave të Armatosura, si dhe kontributin e dhënë për pranimin e Shqipërisë në NATO”. Nga ana e tij, zv/sekretari i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Gordon Ingland, shprehu falënderimin për nderin dhe vlerësimin e madh si dhe mirënjohjen për mikpritjen shumë të ngrohtë që i është bërë në Shqipëri, duke shpresuar në vijimin e bashkëpunimit kaq të mirë me Shqipërinë. Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon L. Uidhers, të tjera personalitete, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.
1 Tetor 2008