E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në Kodin Penal, burg për ndërtimet pa leje



Maxhoranca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme ndryshimet e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Pas debatit në parim të projektligjit, shumica e djathtë miratoi nenet që parashikonin dënimin me burg të personave që vjedhin energjinë elektrike, që ndërtojnë pa leje, që shkatërrojnë fondin pyjor, apo që bëjnë lidhje të paligjshme në ujësjellës. Pikërisht këto nene u kundërshtuan nga deputetët e opozitës, të cilët, megjithëse e votuan në parim projektligjin, kundërshtuan masat e ashpra që ai propozon. Deputetët e opozitës kundërshtuan heqjen e masës së gjobës dhe kalimin direkt te dënimi me burg për të tilla vepra. Sipas tyre, gjykata duhet t’i japë një mundësi personit që ka vjedhur, p.sh., energjinë elektrike, duke e gjobitur njëherë atë dhe në rast se ai nuk paguan gjobën, atëherë të dënohet me burgim. Por ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se Kodi Penal ka parashikuar masën e gjobës për vepra të tilla penale dhe madje ky dënim është aplikuar për 90% të rasteve, por gjoba nuk është vjelë asnjëherë. Sipas ministrit, kjo është arsyeja pse propozohet ndryshimi i masës duke hequr dënimin me gjobë dhe duke propozuar dënimin vetëm me burg. Por ky arsyetim i ministrit është kundërshtuar, madje është ironizuar nga deputetët e opozitës. “Nuk qëndron logjika e ligjit. Si mund të futet në burg edhe ai që ka vjedhur 2000 kilovat energji, dhe ai që ka vjedhur 200 kilovat, pa i dhënë mundësinë e pagesës së gjobës?! Mua më duket jonormale kjo”, - është shprehur deputeti i PS-së, Bashkim Fino. Ndërsa deputeti tjetër socialist, Pandeli Majko, e cilëson pa vend parashikimin e burgimit për këto vepra, kur qeveria, nga ana tjetër, ka sjellë në Kuvend një projektligj për aplikimin e dënimeve alternative të personave me vepra më të rënda penale. Po kështu, duke iu referuar procesit te legalizimit, Majko e cilësoi pa vend dhe masën e dënimit me burg të personave që ndërtojnë pa leje. Ai tha që të paktën të ketë një lloj ndarjeje të masës së burgut që do të kryejë personi që ndërton pa leje në tokën e tij dhe që bën një shtesë në oborrin e tij, dhe tjetër masë për atë që ndërton në tokën e tjetrit. Por ministri i Drejtësisë, Alibeaj, qartësoi se nuk është Kuvendi ai që përcakton ndarje kaq të detajuara për aplikimin e masës së dënimeve, pasi të drejtën për kodifikimin e ligjit e ka vetëm gjykata. Pavarësisht kundërshtimit të deputetëve të opozitës, deputetët e maxhorancës i miratuan të vetëm ndryshimet në Kodin Penal. Por, në seancë parlamentare pritet të ketë debate për këtë projekt, pasi do të votohet me 3/5 e votave, gjë që kërkon domosdoshmërisht konsensusin e opozitës.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›