E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të kërkojnë respektim të institucioneve të pavarura

Numri dy i Pentagonit: “Nxis qeverinë të respektojnë institucionet e pavarura”. Deklarata vjen një ditë pas akuzave të Berishës ndaj sistemit të Drejtësisë

Eljona Ballhysa
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të këmbëngulin në respektimin e institucioneve të pavarura nga qeveria shqiptare. Kjo deklaratë ka ardhur dje nga numri dy i Pentagonit, zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Gordon Ingland, i cili është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë takimit me personalitet e larta të shtetit shqiptar, Ingland, ka vënë theksin në domosdoshmërinë që qeveria të respektojë institucionet e pavarura kushtetuese dhe të vazhdojë ecurinë e reformave që janë të nevojshme për thellimin e demokracisë në vend. “Nxis si qeverinë, ashtu edhe popullin, të vazhdojnë këto reforma dhe të respektojnë institucionet e pavarura që do të ndihmojnë vendin tuaj të ndërtojë një demokraci dhe ekonomi të fortë”, - është shprehur Ingland. Kjo deklaratë ka ardhur vetëm një ditë pas akuzave që kryeministri Berisha hodhi ndaj sistemit të drejtësisë. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së një ditë më parë, kritikoi Presidentin e Republikës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe prokuroren e Përgjithshme për reformën në Drejtësi. Më tej Berisha akuzoi se këto institucione, nëpërmjet pavarësisë, fshehin korrupsionin. Vetëm një ditë pas këtyre akuzave të ashpra, vjen kërkesa e SHBA-ve për respektim të pavarësisë së institucioneve kushtetuese.
Reformat
Gjatë ditës së djeshme Ingland është pritur në një takim nga kryeministri Berisha, nga presidenti Topi dhe nga ministri i Mbrojtjes, Oketa. Gjatë këtyre takimeve numri dy i Pentagonit ka vlerësuar marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, ndërkohë që ka nxitur qeverinë shqiptare që të vazhdojë në rrugën e reformave. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria ndajnë një partneritet shumë të afërt dhe një miqësi të thellë. Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar së bashku në mënyrë që të ndihmojnë shqiptarët të kapërcejnë efektet afatgjata të komunizmit dhe luftës. Jam shumë i kënaqur që mora sigurimet që këto reforma do të vazhdojnë, që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve të pavarura, të cilat janë aq jetësore për demokracinë në Shqipëri, që do të ndihmojnë vendin tuaj për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe një ekonomi të tillë”, - është shprehur Ingland, i cili ka garantuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në përkrahje të vazhdueshme të Shqipërisë. Ai bëri të ditur se gjatë takimit me kryeministrin Berisha ka diskutuar mbi stabilitetin e rajonit, modernizimin ushtarak të Shqipërisë, klimën e biznesit, si dhe çështjen e municioneve të pashpërthyera. Ingland gjithashtu ka vlerësuar rolin e Ushtrisë shqiptare, e cila po shërben krah për krah Ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.
NATO
Një tjetër mesazh domethënës për Shqipërinë ka qenë deklarata e Ingland për mundësinë e anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO në muajin prill të vitit të ardhshëm. Zëvendëssekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve shprehu kënaqësinë e tij për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati Amerikan. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam në Shqipëri në këtë kohë, pasi Senati Amerikan ratifikoi hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe shpresojmë që të gjithë të votojnë për futjen e Shqipërisë me të drejta të plota deri në prillin e ardhshëm. SHBA-të ndajnë me ju së bashku objektivin për të çuar më përpara paqen, sigurinë dhe begatinë në rajon. Në prillin që shkoi Shqipëria mori ftesën zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO dhe ne presim me dëshirë dhe hedhim sytë përpara drejt prillit të ardhshëm, drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO”, - është shprehur Ingland.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›