Gjashtë nenet e pazbatuara të ligjit për pensionet e ish-ushtarakëve
Luan Kondi
Tiranë – Trajtimi i ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga Sigurimet Shoqërore nuk është bazuar në ligj dhe nuk ka garantuar zbatimin e përpiktë të ligjit. Ky është mendimi i ekspertit Kadri Muka. Sipas tij, institucioni i Sigurimeve ka qenë arbitrar në sjelljen ndaj kësaj kategorie. “Arbitrariteti i Sigurimeve Shoqërore ka qenë i përsëritur nga koha në kohë në moszbatimin e ligjit në fuqi dhe deri tek ai që e ka shfuqizuar dhe zëvendësuar atë”, - tha për gazetën “Albania” eksperti Kadri Muka. Ky i fundit shpjegon se ky arbitraritet ka filluar me mosrespektimin e skemës së një neni të Ligjit nr. 8087, ndryshuar nga një tjetër nen i Ligjit nr. 8521. Duke iu referuar ligjeve që rregullojnë pensionet e ish-ushtarakëve, Muka sqaroi se “këtu kemi të bëjmë edhe mosrespektimin e ndryshimit që i bëri germës ‘b’ të ligjit të sipërcituar neni 49 i ligjit ‘Për statusin e ushtarakut të FA të RSH’, moszbatimin e nenit 35 të këtij ligji dhe është mbyllur me mos zbatimin e nenit 33 të ligjit ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH’ dhe zbatimin e Ligjit 8087, i ndryshuar dhe të shfuqizuar në vend të ligjit në fuqi”.
Vjetërsia
Sipas ekspertit, Sigurimet e japin pensionin në kundërshtim me nenin 11 të ndryshuar të Ligjit nr. 8087 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, ndryshuar nga neni 6 i Ligjit nr. 8521, datë 30.07.1999, i cili masën e pensionit e ka ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë garanton një pension në masën 50 për qind të pagës referuese të çastit të lindjes së të drejtës për 12 vjet vjetërsi femra dhe 15 mashkulli, e cila fikson minimumin e pensionit për vjetërsinë minimale. Pjesa e dytë sqaron se për çdo vit shërbimi mbi 12 e 15 vjetshin masës së pensionit i shtohet edhe 2 për qind e pagës referuese, por pa kaluar kjo shtesë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. “Në kundërshtim me këtë, Sigurimet Shoqërore e kanë kufizuar gjithë masën e pensionit në masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Për shkak të kësaj masa e pensionit që është dhënë dhe u jepet ushtarakëve ka qenë gjithnjë me e ulët, pra më pak se 50 për qind e pagës referuese”, - vijoi eksperti Muka.
Pensioni sipas Statusit
Moszbatimin e nenit 49 të Statusit të Ushtarakut është një tjetër kontestim i ekspertit. Ky nen, i cili ka nisur të veprojë që me hyrjen në fuqi të vetë Statusit të Ushtarakut, prej datës 29 prill të vitit 2004. Sipas këtij neni, që shfuqizon të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, që janë në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji, sjellin detyrimin ligjor në moskufizimin e shtesës së pensionit për vitet mbi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt. “Në mënyrë arbitrare nga Sigurimet Shoqërore ky nen nuk është marrë në vlerësim. Pensioni nga 50 për qind të pagës referuese për 12 e 15 vjet shërbim dhe 2 për qind të kësaj page për çdo vit tjetër shërbimi, pra për 13 vjet dhe 16 vjet 52 për qind, për 18 dhe 20 vjet 60 për mirë, për 22 dhe 25 vjet 70 për qind etj., është dhënë në masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Për rrjedhojë, gjeneralëve për 31 vjet shërbim u jepet 13 për qind nga 82 për qind; kolonelëve për 30 vjet shërbim 20 për qind nga 80, nënkolonelëve për 27 vjet 26 për qind nga 74, majorëve për 22 vjet 41 për qind nga 64, kapitenëve për 18 vjet 46 për qind nga 56 etj.”, - sqaroi Muka.
Pensioni i parakohshëm dhe suplementar
Ndërprerja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në rast punësimi është antiligjor. Muka deklaroi se pika 2 e nenit 35 të Ligjit nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, nëpërmjet përcaktimit: “Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rastin e punësimit të përfituesit”, ka hequr të drejtën e ndërprerjes së pensionit të parakohshëm kur ushtaraku punësohet. Ajo pikë u ka dhënë atyre të drejtën e vazhdimit të trajtimit me këtë pension edhe gjatë periudhës që ata punësohen dhe janë në marrëdhënie pune. “Nga Sigurimet Shoqërore ushtarakëve të punësuar edhe pas datës 14 maj 2004 u është ndalur pensioni. Për kohën që kanë qenë në marrëdhënie pune pas hyrjes në fuqi të statusit të ushtarakut të 23 marsit 2004, janë shpallur debitor dhe u është detyruar kthimi i pensionit të marrë”, - vazhdoi eksperti. Ai tha se antiligjore është edhe mosdhënia e pensionit suplementar të ushtarakëve në pension pleqërie para vitit 1991. Kësaj kategorie neni 36 i Ligjit nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të FA të RSH”, si gjithë të tjerëve u ka njohur të drejtën e trajtimit dhe përfitimit të këtij pensioni. Kjo bëhet e qartë prej përcaktimit: “Ushtaraku aktiv dhe ushtarakët në rezervë, në lirim ose në pension, pavarësisht nga koha e ndërprerjes së karrierës ushtarake përfitojnë pension suplementar për vete dhe familjen, të përcaktuar në ligjin ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror’, i ndryshuar”. Kjo e drejtë u ka lindur me hyrjen në fuqi të këtij ligji nga data 14 maj 2004. Prej kësaj datë ata duhej të ishin trajtuar me këtë pension, por Sigurimet Shoqërore as sot, pas 4 vitesh, 4 muaj e 15 ditë nuk u kanë dhënë dhe nuk u japin këtë pension.
Trajtimi me ligjin e shfuqizuar
Trajtimit me pension të parakohshëm dhe pension suplementar pleqërie me ligj të shfuqizuar kontestohet nga ish-ushtarakët. Sipas tyre Ligji nr. 8087, i ndryshuar më 1 janar 2006 sipas nenit 33 të Ligjit nr. 9418, është shfuqizuar. Ligji nr. 8087, datë 13.3.1996 për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA në RSH, të ushtarakëve të MRP-së dhe të SHISH-it i ndryshuar, dhe aktet e dala në zbatim të tij, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të zbatohen për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfitojnë sipas këtij ligji. Pra, ligjvënësi dhe ligji kanë vendosur që Ligji 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar, të mos zbatohet, ushtarakët të mos trajtohen më me këtë ligj. Në vend të tij, ligjvënësi dhe ligji ka vendosur të zbatohet Ligji nr. 9418, datë 20.05.2005 që e ka shfuqizuar Ligji nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar. Këtë e ka realizuar me nenin 34 të këtij të fundit, ku thotë: “Ky ligj hyn në fuqi në datën 1 janar 2006”. Në kundërshtim dhe në kundërvënie të këtyre dy neneve, Sigurimet Shoqërore e kanë vendosur veten mbi ligjvënësin e ligjin. Me këtë Sigurimet i kanë bërë sfidë ligjvënësit dhe ligjit, nuk i janë bindur e nënshtruar detyrimit ligjor, por kanë vazhduar dhe vazhdojnë lidhjen dhe dhënien e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pensionit suplementar po me Ligjin nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar dhe jo me Ligjin në fuqi nr. 9418, datë 20.05.2005.
Moszbatimi i vendimeve të formës së prerë
Edhe pse janë dhënë nga gjykata vendime të formës së prerë, Sigurimet nuk duan t’ia dinë. Sipas ekspertit, edhe pse për trajtimin e ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në kundërshtim me përcaktimin ligjor janë shprehur e kanë vendosur të gjitha shkallët e pushtetit gjyqësor, që nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë, Sigurimet Shoqërore nuk janë lëkundur nga qëndrimi i tyre. Kur me Vendimin nr. 60, datë 18.01.2005 dhe 14 datë 28.01.2005 Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e paraqitur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Kukës për pezullimin e ekzekutimit të Vendimit nr. 55, datë 30.03 2004 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës dhe të Vendimit nr. 173, datë 16.07.2004 të Gjykatës Apelit Shkodër, kjo drejtori, në vend të zbatimit të këtij vendimi, i drejton një kërkesë të dytë kësaj gjykate, duke i rikërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë.
1 Tetor 2008