PD-PS heqin kufizimet për financimin e fushatave zgjedhore
Eljona Ballhysa
Donatorët e ndryshëm tashmë nuk do të jenë të kufizuar në masën e financimit të partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Partitë parlamentare kanë filluar të hedhin në tryezën e diskutimeve propozimet e para për transparencën e financimit të partive politike. Burime nga Komisioni i posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë zbardhur për gazetën disa nga propozimet e hedhura për diskutim në lidhje me burimet e financimit të partive politike. Burimet kanë bërë të ditur se palët të arrijnë një marrëveshje për masën e financimit të partive në kohë fushatash nga donatorë të ndryshëm. Në Kodin Zgjedhor aktualisht kjo masë është 1 milion lekë, ndërkohë që është propozuar që të rritet në 5 deri në 10 milionë lekë. Deputetët e opozitës mësohet se kanë këmbëngulur që transparenca e burimeve financiare të partive politike në kohën e fushatave zgjedhore të përfshihet si kapitull i Kodit Zgjedhor. Kjo për faktin se Kodi Zgjedhor miratohet në Kuvend me 84 vota, gjë që e bën të domosdoshëm bashkëpunimin me opozitën.
Auditi
Burimet kanë bërë të ditur se një propozim që është hedhur për diskutim është krijimi i një institucioni auditimi për kontrollin e burimeve të financimit të partive politike. Sipas të dhënave, sistemi i auditit është konceptuar si një institucion, veprimtaria e të cilit do të jetë e bashkërenduar dhe e lidhur ngushtë me institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Do të jetë ky i fundit ai që do të sanksionojë marrjen e masave ndëshkuese ndaj partive politike në rast të evidentimit të fshehjes së transparencës financiare të tyre. Një element mjaft i rëndësishëm i funksionimit të sistemit të auditit do të jetë detyrimi ligjor në të cilin partitë politike duhet të dorëzojnë listën e plotë të financuesve të fushatave të tyre elektorale. Dorëzimi i kësaj liste dhe botimi i saj në buletinin e zgjedhjeve të KQZ-së apo në shtypin e shkruar do të konsiderohet si një avantazh lehtësues për procesin e auditimit, si dhe një provë e transparencës së financimit të fushatave elektorale. Pritet që ky kuadër ligjor të mos lejojë atë që ka ndodhur shpeshherë, që partitë politike në Shqipëri kanë deklaruar shifra disa herë më të ulëta se ato që kanë shpenzuar për fushatën zgjedhore. E rëndësishme është dhe transparenca e burimeve financiare, pasi shpeshherë ka ndodhur që kampet politike e kanë akuzuar njëra-tjetrën për financime nga grupe të dyshimta që kanë bërë pastrim parash. Çështja e financimit të partive politike ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër më të kritikuarat e raporteve të ndërkombëtarëve për Shqipërinë.
///////////////////
Thirrja
Pikërisht këtë fakt e ka bërë të ditur dhe kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ai u bëri thirrje deputetëve që të lexojnë me vëmendje raportin e “Transparency International”, pasi sipas Berishës, ka vende që i është ulur indeksi i luftës kundër korrupsionit vetëm për shkak të financimit të partive politike. Berisha bëri thirrje që të rritet dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën për hartimin e një ligji për këtë çështje. “Do t’ju ftoja ta lexoni raportin. Një vend që ka qenë shumë lart ka humbur 0.4 pikë vetëm për shkak të financimit të partive. Le ta sjellim sa më shpejt ligjin e transparencës së financimeve të partive politike. Do t’ia bëjmë këtë shërbim vendit. Kudo në botë korrupsioni ka një problem që e ndihmon në një farë shkalle, por edhe që e pengon luftën kundër tij. Ky problem është politizimi i tij”, - është shprehur Berisha.
Çfarë përmban Kodi Zgjedhor
Kodi zgjedhor, me ndryshimet që iu bënë gjatë vitit 2004 nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikoi për herë të parë në legjislacionin zgjedhor shqiptar, dispozita që lidhen me financimin e fushatës zgjedhore të partive politike dhe kandidatëve, si dhe me deklarimin e shpenzimeve të kryera prej tyre gjatë fushatës zgjedhore. Rregullimi ligjor përbën përpjekjen e parë drejt plotësimit të një prej parimeve thelbësore për një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë, atij të transparencës. Pjesa e Njëmbëdhjetë (nenet 143, 144, 145, dhe 145/1) e Kodit Zgjedhor ka për objekt si financimin e subjekteve zgjedhore nga fondet publike, ashtu edhe atë nga burimet e tjera private. Kodi reflekton logjikën e ligjit “Për partitë politike”, i cili, krahas fondeve të buxhetit të shtetit, parashikon edhe donacione private, kuotat e anëtarësisë dhe çdo pasuri të fituar në mënyrë të ligjshme nga ana e partive politike. (Ligji numër 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, ndryshuar me Ligjin numër 9542 datë 2.2.2006). Në përputhje me Nenin 144/1 të Kodit Zgjedhor subjektet zgjedhore (partitë politike të regjistruara në KQZ, kandidatët e mbështetur nga partitë politike, si dhe kandidatët e pavarur) mund të përfitojnë për fushatat e tyre zgjedhore dhurata nga personat fizikë ose juridikë, privat vendas. Dhurata ose kundër vlefta, vlefta në sende ose shërbime nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të mbajnë një dokumentacion të rregullt dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi në çdo rast në varësi të kategorizimit të dhuruesit.
30 Shtator 2008