E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kërkon votat për Komunën e Ballagatit

Më 2 gusht, Komuna e Ballagatit do të zgjedhë kryetarin e saj të ri. Kryeministri Berisha ka çelur sërish fushatën për zgjedhjet e pjesshme lokale në Komunën Ballagat. Kandidati i demokratëve për këtë komunë, Sherbet Shala, u prezantua nga Kryeministri Berisha i cili mori pjesë në përurimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Ballagat - Peqin, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 150 milionë lekë dhe me gjatësi 12 kilometra. Shefi i mazhorancës ndër të tjera ftoi banorët e Ballagatit të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunën e tyre, për të votuar për vazhdimin e ndryshimit. Ai garantoi se vota për kandidatin demokrat Shala do të shndërrohet në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, pensione të larta, do të shndërrohet në mbështetjen më të fuqishme për fermat dhe për zhvillimin e tyre. "Ju ftoj të merrni pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunën tuaj, të votoni për vazhdimin e ndryshimit. Shqipëria ka nevojë për besimin tuaj, për votën tuaj. Unë ju garantoj ju se kjo votë do të shndërrohet në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, pensione të larta, do të shndërrohet në mbështetjen më të fuqishme që keni njohur ndonjëherë për fermat tuaja dhe për zhvillimin e tyre", u shpreh Berisha.

Kryeministri përshëndeti projektin e kësaj rruge, e cila lehtëson shumë jetën e banorëve të kësaj zone. Ai tha se me këtë rrugë, së bashku me Boshtin e Jugut dhe rrugën që kalon në Belsh, Kosovë, zona dhe e gjithë Dumreja njeh një urbanizim të madh dhe dalje më të shpejtë të prodhimeve në treg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›