E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ul çmimin për trojet në parqet industriale

Ulet me 40% çmimi i trojeve në parqet industriale. Ky vendim është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave për të krijuar lehtësira për bizneset që duan të operojnë në këto zona. Zona industriale janë të gjitha ato vende që janë miratuar si të tilla me vendim të KRRT-së dhe të KRRTRSH-së, në bazë të akteve ligjore në fuqi, për kryerjen e veprimtarive ekonomiko-prodhuese. Çmimi i trojeve, pronë shtetërore, në zonat industriale, ku ushtrohet veprimtari ekonomiko-industriale në objektet e ndërtuara mbi to, është sa vlera e çmimit të trojeve të kategorive të miratuara në vendimet e mëparshme të qeverisë. Me këto çmime do të llogaritet jo vetëm sipërfaqja nën objekt, por edhe ajo në funksion të tij. Në rast privatizimi të këtyre trojeve, pagesa do të bëhet 50 për qind në lekë dhe 50 për qind me letra me vlerë, apo bono privatizimi.

Qeveria vendosi të ndryshojë formulën për vlerësimin e tokave të përcaktuara për ndërtime industriale. Vlera fillestare e trojeve në zonat industriale nuk do të jetë ajo e tokës bujqësore të cilësisë së parë, por do të jetë çmimi i tokës që do të përdoret për ndërtime të banesave. Por dhe në këtë rast do të merret si shembull rajoni i klasifikuar i fundit. Kësaj vlere do t‘i shtohet koeficienti i infrastrukturës, koeficienti i ndërtueshmërisë dhe koeficienti i ndotjes. Mbledhja e të tre vlerave do të tregojë se cili do të jetë çmimi i tokës në zonën industriale, që do të përdoret në procesin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.

Çmimet minimale për Qarkun e Tiranës fillojnë nga 1550 lekë për metër katror, ndërsa për Durrësin nisin me 1750 lekë për metër katror. Për Beratin çmimi minimal i një metër katrori shkon në 450 lekë, ndërsa për Korçën në 650 lekë, Shkodrën 600 lekë për m2. Në zonat më të thella të vendit, vlera e truallit në përgjithësi, mesatarisht në nivel vendi, mund të shkojë në 70 mijë lekë për m2. Çmimet e trojeve janë ato që qeveria ka vendosur në vendimin nr. 1620, datë 26.11.2008, "Për miratimin e trojeve që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna", nr. 555, datë 29.8.2007, "Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Beratit, Gjirokastrës, Vlorës e të Dibrës, si edhe qytetet Bulqizë, Burrel, Klos dhe Vlorë", nr. 653, datë 29.9.2007, "Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Lezhës, Dibrës, Korçës dhe Kukësit", dhe nr. 139, datë 13.2.2008, "Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Fierit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës", të Këshillit të Ministrave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›