PDI: Forcat e errëta po bllokojnë mandatin tonë
Partia për Drejtësi dhe Integrim (PDI) shprehu dje shqetësim se dora e gjatë e forcave të errëta po përpiqet të bllokojë vërtetimin e mandatit të dytë të PDI-së në Fier. PDI deklaron se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të siguruar shpalljen e vullnetit të votuesve. "PDI do të marrë në shqyrtim çështjen administrative ende pezull, do të kërkojë anulimin e kutive të votimit ku ka pasur parregullsi në Fier dhe do të marrë në konsideratë rivotimin në zonat problematike", u shpreh kryetari Tahir Muhedini. Kjo çështje, vijoi ai, ka të bëjë me dinjitetin e njeriut dhe të ardhmen e demokracisë. "Rrallë ndodh që një çështje të nxjerrë në pah thelbin e zemrës së një kombi, siç ndodh gjatë fushatave elektorale. Kjo është një sfidë, jo për mirëqenien apo sigurinë tonë, por për vlerat, qëllimet dhe domethënien e një kombi. Kjo ka të bëjë me çështjen që çdo votë është e barabartë dhe të vlerësohet siç duhet ligjërisht", këmbënguli Muhedini. Sipas tij, edhe sikur të rrisim pa masë mirëqenien, të jemi anëtar të NATO-s, siç jemi, dhe të BE-s, siç aspirojmë të bëhemi, të lëvizim lirisht pa viza dhe prapë të mbetemi të pabarabartë në këtë çështje, atëherë ne do të kemi dështuar si njerëz dhe si komb. PDI i bën thirrje prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Misionit Ndërkombëtar mbi Monitorimin e Zgjedhjeve për një monitorim sa më objektiv dhe të paanshëm të procesit zgjedhor për të siguruar që vullneti i votuesve të respektohet pa asnjë lloj diskriminimi.