LSI i kërkon PD: Të punohet seriozisht për Kodin e ri Zgjedhor
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar dje PD-së që në Parlamentin e ardhshëm prioritet kryesor i punës së Kuvendit të jetë hartimi i Ligjit të ri Elektoral. Sipas Edmond Haxhinastos, kjo duhet të bëhet për të shmangur problemet dhe vonesat, të cilat u vunë re edhe gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas zyrtarit të LSI-së, ndryshimet duhet të bëhen "me qëllim që këto defekte të mos përsëriten në proceset e ardhshme zgjedhore". Sipas Haxhinastos "është e domosdoshme që një nga objektivat kryesore të legjislaturës së re është përgatitja e një Kodi Zgjedhor që prodhon procese zgjedhore të pakontestueshme dhe sipas standardeve që na kualifikojnë si vend anëtar i Bashkimit Evropian". Nëpërmjet kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, LSI-ja ka përshëndetur deklaratën e bërë një ditë më parë nga pesë ambasadorët e huaj në Tiranë, të cilët dhanë mbështetje për mbarëvajtjen e punës në Kolegjin Zgjedhor jashtë presioneve politike, ndërsa ata bënë thirrje që qeveria e ardhshme në vend të jetë legjitime. "LSI tashmë ka deklaruar publikisht se të gjitha institucionet pjesëmarrëse në procesin zgjedhor duhet të kryejnë detyrat e tyre funksionale kushtetuese e ligjore në mënyrë të pavarur, të pandikuar nga presionet politike të cilitdo kah qofshin ato", është shprehur Haxhinasto. Ndryshimi në Kodin Zgjedhor është një nga kushtet kryesore që LSI-ja i ka vënë PD-së për të realizuar, gjatë këtij mandati katërvjeçar dhe si këmbim ata pranuan të bashkëqeverisin me Berishën. Por sesa do të realizohet ky premtim i dhënë nga Berisha ndaj kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, kjo mbetet për t‘u parë, për vetë faktin se për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duhen më shumë se 3/5 e votave të deputetëve në sallën e Kuvendit. Vota të cilat PD-ja dhe LSI-ja së bashku nuk i kanë. Pasi këto dy forca politike arrijnë të bëjnë bashkë vetëm 74 mandate deputetësh në sallën e Kuvendit, të pamjaftueshme për të bërë ndryshime të mëdha. Para pak ditësh, Berisha deklaroi në media se ai do t‘i shtrijë dorën e bashkëpunimit në Kuvend grupit parlamentar të PS-së, për të arritur miratimin e ndryshimeve të mëdha, pro përgjigjja e Ramës, kreut të opozitës, ka qenë e menjëhershme, duke deklaruar se nuk do t‘i japë mbështetje qeverisë së PD-së dhe LSI-së në Kuvend. Rama është shprehur se nuk ka kundërshtime për Kodin e ri Zgjedhor, ndaj nuk kërkon ndryshimin e tij. Që pa nisur punën, Kuvendi i ri duket se do të ketë probleme të mëdha, të cilat të lënë të kuptosh se për miratimin e ligjeve të rëndësishme, ku bëjnë pjesë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, do të çelet ankandi për shitjen dhe blerjen e deputetëve, në të kundërt do të thuhet se kushti i LSI-së ndaj PD-së për ndryshimin e sistemit zgjedhor është thjesht një flluskë sapuni.