“Berisha këshilloi Kushtetuesen të rrëzonte paktin detar me Greqinë”
Juristë të njohur i thanë ambasadës se vendimi 9-0 shpjegohet vetëm me sugjerimin e fshehtë të Berishës për të rrëzuar paktin me Greqinë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të rrëzuar marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, nuk i ka shpëtuar komentimit nga ana e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Në një telegram të datës 12/02/2010, thuhet se me një vendim 9-0, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë marrëveshjen në fjalë, pasi sipas tyre kishte probleme me këtë marrëveshje. “Më 26 janar, Gjykata Kushtetuese, me një vendim 9-0 rrëzoi marrëveshjen e prillit 2009 ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, në lidhje me bregdetin e jugut, me argumentimin se ishte antikushtetues.
Vendimi 9-0 ishte befasues për të gjithë, pasi rrallë herë gjërat janë unanime në Shqipëri. Një diplomat grek tha se ishte i "zhgënjyer" me vendimin dhe, se Shqipëria ka ende nevojë për Greqinë për shumë nga çështjet që është duke u përpjekur për të trajtuar”– thuhet në telegram. Më tej, në këtë telegram komentohet vendimi unanim i marrë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se kjo mund të jetë një lëvizje e vetë Qeverisë, duke parë reagimin e ashpër të qytetarëve dhe të medias. “ Një tjetër vëzhgues, sugjeroi që gjykata duhej të kishte pasur sugjerim nga kryeministri Berisha për të dhënë një vendim të tillë, pasi pas një viti, shumë gjyqtarë të kësaj gjykate do të përfundojnë mandatin dhe se ata nuk duan të shkojnë kundër vullnetit të Berishës. Një tjetër jurist, u shpreh se vendimi 9-0 nga gjykata kundër traktatit, "është e pakonceptueshme", përveç nëse gjykata ka marrë të paktën, miratimin e heshtur nga Qeveria, për refuzimin e traktatit. Vëzhguesit spekuluan shumë se traktati ishte një shenjë falenderimi për mbështetjen greke për NATO-n dhe Stabilizim- Asociimin. Gjatë një takimi në Ambasadën Amerikane, zyrtari i Ambasadës Greke, Ioannis Vikelidis është shprehur se ndihet i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, grupi i negociatorëve shqiptarë ishte i përgatitur dhe i aftë për të vendosur për ndarjen e kufijve. Gjithashtu, ai ka shtuar në mënyrë “kërcënuese” se Shqipëria ka ende shumë çështje të hapura, për të cilat ka nevojën e Greqisë.