Kursi i ri politik, Rama i “rrëfehet” ambasadorit Arvizu
Arvizu pas takimit: “Mendoj se Parlamenti duhet të jetë forma kryesore e diskutimit rreth axhendës kombëtare, por ju e dini se ligjet, procesi ligjor, është vetëm njëra anë. Zbatimi i tyre është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sigurisht që duhet të jetë një pjesë e rëndësishme”.
TIRANË Në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar një takim me liderin e opozitës, Edi Rama, me kërkesë të këtij të fundit. Edhe pse ende nuk ka bërë publike se çfarë përfshihet në kursin e ri politik të paralajmëruar rreth një muaj më parë, në takimin me ambasadorin amerikan, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka hezituar ta njohë në detaje lidhur me këtë kurs. “Kryetari Edi Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend, gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj Kombëtare, si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik”, - thuhet në njoftimin për shtyp të selisë rozë. Nga ana e tij, ambasadori amerikan Arvizu tha pas takimit se Parlamenti duhet të jetë forma kryesore e diskutimit rreth axhendës kombëtare. “Mendoj se Parlamenti duhet të jetë forma kryesore e diskutimit rreth axhendës kombëtare, por ju e dini, se ligjet, procesi ligjor, është vetëm njëra anë. Zbatimi i tyre është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sigurisht që duhet të jetë një pjesë e rëndësishme. E lashë Ramën të më shpjegonte se cila ishte axhenda e tij legjislative, apo taktika që do të ndjekë, dhe ky është vendimi i tij dhe jo vendimi im, apo i komunitetit ndërkombëtar; por, siç e thashë, kam një ndjesi të mirë rreth kësaj. Unë mendoj se është në favor të axhendës së reformave, të axhendës së integrimit, por më duhet t'ia lë zotit Rama ta përshkruajë sesi ai do ta bëjë këtë, por mendoj se ne të gjithë po flasim për të njëjtën gjë dhe kjo është e rëndësishme"- tha Arvizu. Ndërkohë, në njoftimin për shtyp të PS-së, thuhet, ndër të tjera, se ambasadori Arvizu shkëmbeu me kryetarin e opozitës një sërë pikëpamjesh përmes një dialogu miqësor, ku nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë ecuria e procesit demokratik në funksion të integrimit të vendit dhe mbështetjen e qeverisë së tij për ecurinë e këtij procesi. “Bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë që Parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër”,- thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së. Në takimin e djeshëm ishte e pranishme edhe shefja e re e Sektorit Politik dhe Ekonomik të ambasadës amerikane, Jenifer H. Moore. Pak ditë më parë, pas një takimi të zhvilluar me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se Shqipërisë i nevojitet një konsensus kombëtar për integrimin. “...Ne folëm për çështje të rëndësishme të rrugës për integrimin e Shqipërisë në BE. ShBA-ja mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike kuptohet që i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsensus kombëtar”, - u shpreh Arvizu pak ditë më parë.