E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Kuliçaj ndihmonte Dritan Dajtin

Telegrami i datës 25 nëntor 2009 shpreh shqetësimin për ngritjen në detyrë të Agron Kuliçajt dhe pafuqinë e kreut të policisë për të marrë vendime për të

“Shkundja surprizuese në polici tregon se mbetet një i paprekshëm” -është titulli i kabllogramit dërguar më 25 nëntor 2009 në Departamentin Amerikan të Shtetit. Përmbajtja lidhet me ngjitjen në detyrë të Agron Kuliçajt, i cili akuzohet për praktika korruptive. “Disa prej donatorëve besojnë se ndryshimet ishin në përputhje me rregullat, por shprehet shqetësimi për drejtorin e Inteligjencës, Agron Kuliçaj, i cili nuk lëvizi nga detyra që mbante gjatë ndryshimeve që ndërmori Burgaj. “Jo vetëm praktikat korruptive për Kuliçajn janë tashmë të njohura, por ka zëra brenda në polici që besojnë se Kuliçaj ndoshta ka ndihmuar Dritan Dajtin, që ai të shpëtonte nga arrestimet”, - thuhet në telegram. Hartuesi i kabllogramit nënvizon se ambasadori Withers ka shprehur shqetësim për korrupsionin në rangjet drejtuese të policisë së shtetit në përgjithësi dhe ICITAP ka shprehur shqetësim në mënyrë specifike për zotin Kuliçaj te drejtori i përgjithshëm, Burgaj. “Burgaj ka theksuar se Kuliçaj është i lidhur ngushtë me kryeministrin Berisha dhe se çdo tentativë për ta larguar apo pozicionuar në një tjetër vend pune duhet të kryhet direkt nga zyra e Kryeministrit”, - thuhet në telegram. “Ne kemi arsye të besojmë, sikurse edhe disa agjenci inteligjente amerikane, se jo vetëm praktikat korruptive për Kuliçajn janë tashmë të njohura, por ka zëra brenda në polici që besojnë se vetë Kuliçaj ndoshta ka ndihmuar Dritan Dajtin për t'u shpëtuar arrestimeve të dështuara në të shkuarën. Operacioni për kapjen e Dritan Dajtit u zhvillua pikërisht në muajin gusht, kur Kuliçaj ndodhej jashtë Shqipërisë, për mos t'i dhënë mundësi sinjalizimi Dajtit". Komenti mbyllës i ambasadorit Withers në këtë kabllogram nxjerr në pah pozicionin e vështirë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit përballë vartësit të tij Agron Kuliçaj.“Burgaj e ka shprehur se ai ka problemet e tij me Kuliçajn dhe të tjerë të supozuar për korrupsion në polici dhe lidhje me krimin e organizuar. Zoti Burgaj është i intimiduar, pasi Kulicaj është një i afërt i Kryeministrit dhe ish-bodigard i tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›