E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi fton Tadiç-in: Të vendosim raporte të mira mes dy vendeve

TIRANË Gjatë punimeve të Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të krerëve të shteteve të Europës Juglindore, presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim pune me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Në këtë takim, presidenti Topi vuri në dukje se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë me Serbinë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të dy vendeve. “Dialogu politik, institucionalizimi i marrëdhënieve, kalimi nga kontaktet sporadike në vendosjen e një komunikimi të përhershëm, do të krijonte një klimë të qëndrueshme mirëbesimi dhe sinqeriteti mes nesh”, - u shpreh Topi. Gjatë bisedës të dy presidentët shprehën të njëjtin interes që përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve të mos mbetet vetëm në nivelin e vullnetit dhe dëshirës së mirë, në zhvillimin e takimeve apo në përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor, por të fitonte një përmbajtje konkrete. Në këtë kontekst, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, ashtu sikundër dhe në fusha të tjera, si arsimi, kultura, shëndetësia, transporti, turizmi etj. Topi theksoi edhe një herë në këtë takim qëndrimin e shtetit shqiptar se “çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është për ne një çështje e mbyllur” dhe se “Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë, të njohur ndërkombëtarisht”. Të njëjtën gjë, presidenti Topi theksoi edhe gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e 9-të Rajonal, duke theksuar se Kosova është një pjesëmarrëse legjitime në veprimtari të tilla dhe për pasojë Presidentja e re e Kosovës duhet të ishte e pranishme gjatë Samitit. Ndërkohë, gjatë takimit me Presidentin e Serbisë, Topi nënvizoi edhe shkëmbimin e vizitave reciproke të niveleve më të larta, siç do të jetë edhe vizita e ardhshme e presidentit Tadiç në Shqipëri, ftesa për të cilën është pranuar me kënaqësi dhe mbetet për t’u realizuar në një kohë të përshtatshme së afërmi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›