Berisha, këshilltarëve të mazhorancës: Mos bllokoni buxhetin
Kryeministri Sali Berisha kritikoi dje për bllokim të buxhetit këshilltarët e LSI-së dhe PD-së në disa bashki dhe njësi vendore, ku këto dy grupime përbëjnë mazhorancën. Megjithëse z. Berisha nuk përmendi raste konkrete, ai vuri në dukje se mazhorancat e reja të krijuara pas zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk duhet të përdoren për të bllokuar, por për të rritur transparencën e punës së njësive vendore. “Zgjidhja ime për mazhorancat e reja të krijuara është të mos përdorin mazhorancën për bllokimin e pushtetit vendor. Kjo nuk mund të ndodhë. Mazhorancën ta përdorin për një shkallë shumë më të lartë përgjegjësie ndaj qytetarëve për të përmbushur sa më mirë kërkesat e tyre. Por, nga ana tjetër, thirrja ime po kaq miqësore ndaj kryetarëve të bashkive dhe komunave që kanë rënë në minorancë, është të kuptojnë se buxheti duhet të vendoset mbi bazën e një dialogu dhe kompromisi me mazhorancën qeverisëse vendore”, - theksoi z. Berisha. Kreu i qeverisë premtoi rritje të fondeve për pushtetin vendor në buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili do t’u shpërndahet atyre në bazë të projekteve që ata do të paraqesin. Berisha i bëri këto deklarata gjatë mbledhjes se përjavshme të grupit parlamentar demokrat, ku prezantoi para deputetëve objektivat e buxhetit të vitit të ardhshëm.