Kalon ligji anti-mafje, sekuestro pasurive të dyshimta
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili përcakton rregulla të reja për parandalimin e fuqizimit të krimit të organizuar. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, e vlerësoi këtë nismë ligjore si tepër pozitive e cila do të rrisë efektivitetin e shtetit në parandalimin e krimit të organizuar. Drejtorja e Kodifikimit në Ministrisë e Drejtësisë, Xhafellari, tha në Komision se ndryshe nga ligji i parë, tashmë me një urdhër të prokurorisë sekuestrohet çdo pasuri e cila dyshohet se është vënë në rrugë të paligjshme. Në projektligj është parashikuar se gjykata me kërkesë të prokurorit mund të vendosë masën parandaluese të sekuestrimit edhe kur në bazë të të dhënave të mjaftueshme rezulton dukshëm se personi i dyshuar ka një standard të pajustifikuar jetese. Në këtë shtesë është konsideruar fakti se shpesh këta persona ndonëse në dukje duket se kanë disa pasuri, të cilat mund t’i kenë deklaruar, në realitet kanë një mënyrë jetese me kosto të shtrenjtë, e cila nuk justifikon standardin e jetesës që bëjnë në raport me këto pasuri që zotërojnë në aparencë (si p.sh. shpenzime luksi të tilla, si blerje makinash të shtrenjta, apartamente, vila, rroba dhe sende të tjera të çmueshme etj.). Ndërsa në nenin 14, është shtuar një paragraf, që lejon kryerjen e njoftimeve dhe marrjen e provave në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare. Rregullat e zbatueshme do të jenë në varësi të karakterit të procedurës, civile ose penale. Në nenin 15 është shtuar një paragraf, paragrafi i dytë, i cili lejon vazhdimin e procedurës kur personi, pasuria e të cilit është objekt i këtij ligji, nuk gjendet. Për zgjidhjen e kësaj situate është marrë modeli i Kodit të Procedurës Penale, nëpërmjet nxjerrjes së vendimit të mosgjetjes dhe vazhdimin e procedimin në prani të një mbrojtësi, të zgjedhur ose të caktuar. Në nenin 16 është shtuar paragrafi i tretë, sipas të cilit do të jenë objekt verifikimi edhe pasuritë e kaluara tek të tretët nëpërmjet veprimeve juridike fiktive ose të simuluara, duke konstatuar njëkohësisht edhe pavlefshmërinë absolute të tyre. Ky rregull mungonte në ligj dhe synon të godasë pasuritë që fshihen nëpërmjet këtyre veprimeve. Në nenin 22 shtohet paragrafi i katërt, sipas të cilit gjykata vendos kryesisht ose me kërkesë të palëve, kalimin e të drejtave reale mbi pasuritë e sekuestruara, të cilat mund të dëmtohen, u bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose që mund të dalin jashtë përdorimit.