Berisha konfirmon atomikun: Pakt me tre vendet fqinje
Fabiola Çela
Kryeministri Berisha ka konfirmuar qëndrimin e tij pro ndërtimit të një centrali atomik.Për këtë qeveria po shikon të gjitha mundësitë që të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. Aktualisht, ekspertët janë duke hartuar kuadrin ligjor që i hap rrugë realizimet të këtij projekti. Sapo të përfundojë ky draft, përfaqësuesit e qeverisë demokrate do të nisin negociatat me tre vendet fqinje Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi. Gjatë hartimit të këtij projekti të përbashkët, do të përcaktohet edhe vendi se ku do të ndërtohet ky central atomik, i cili do të shërbejë si një burim i qëndrueshëm i prodhimit të energjisë për vendin tonë dhe fqinjët. Berisha ka theksuar se klima e biznesit në vend është përmirësuar ndjeshëm, gjë të cilën e ka mbështetur edhe Presidenti i forumit, Jean-Paul Carteron, por ai ka theksuar se klima e acaruar mes Serbisë dhe Kosovës përbën një rrezik për stabilitetin e investimeve në Ballkan.
Centrali
Debati për ndërtimin e një centrali atomik ka nisur muaj më parë. Por duke qenë se Shqipëria nuk ka një kuadër të posaçëm ligjor që lejon ndërtimin e tij, ekspertët e qeverisë kanë nisur punën për përgatitjen e një drafti të tillë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë punimeve të forumit ekonomik botëror të Krans Montanës. “Ne jemi të hapur edhe për centralet bërthamore dhe po shikojmë dhe duam të bashkëpunojmë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë, po përgatisim kuadrin ligjor dhe sapo ajo të jetë gati, ne do të fillojmë negociatat me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi në përpjekje për të hartuar një projekt të përbashkët, sepse mendojmë se ky duhet të jetë burimi më i qëndrueshëm i energjisë”, ka thënë Kryeministri Berisha. Pasi të nisin diskutimet mes palëve qeveritare, pritet të përcaktohet se në cilin nga vendet do të nisë ndërtimi i një centrali të tillë. Në fakt, ekspertët e huaj të energjetikës kanë hedhur edhe mundësinë e zbatimit të projekteve që mundësojnë prodhimin e energjisë me anë të erës, por sipas zyrtarëve shqiptarë këto projekte janë goxha të kushtueshëm. Gjatë forumit të djeshëm, kreu i qeverisë ka bërë një ekspoze të projekteve energjetike që janë duke u zbatuar. “Një TEC është duke u ndërtuar në Vlorë, një hidrocentral po ndërtohet në Kalivaç, por ende po bëhen përpjekje të mëdha për të gjeneruar burimet tona të energjisë, që do të thotë se burimet tona kanë një potencial shumë më të lartë se 900 megavat”, tha ai. Sipas Berishës, janë 26 kompani të kontraktuara nga Këshilli i Ministrave për hidrocentrale të përmasave të ndryshme. Qeveria shqiptare është duke punuar me qeverinë e Kosovës për të ndërtuar një TEC së bashku në Kosovë, që është i përmasave të mesme. “Banka Botërore po kërkon bashkëpunim edhe me donatorë të mëdhenj, sepse ka një TEC të madh atje më shumë se 4400 megavat, por si qeveri ne po kërkojmë të ndërtojmë një TEC më të vogël, sepse e jep prodhimin më shpejt”, tha Berisha. Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm, që do të rrisë kapacitetet importuese të energjisë, është edhe ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi. “Është një linjë që lidh Tiranën me Podgoricën, është një linjë që lidh Tiranën me Prishtinën, gjithashtu është deklaruar se do të mbështetet dhe një lidhje mes Tiranës dhe Shkupit”, theksoi kryeministri. Linja e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë, pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm. Me ndërtimin e kësaj linje, rrjeti energjetik shqiptar do të zgjidhë një herë e mirë problemet me importin e energjisë. Ndërtimi i kësaj linje është shumë i rëndësishëm për sektorin energjetik, pasi rrit ndjeshëm kapacitetet importuese të linjave.
Ruli: Pro ndërtimit të linjave ndërkombëtare
Forumi ekonomik i Krans Montanës ka risjellë sërish në qendër të vëmendjes ndërtimin e naftësjellësit AMBO. Gjatë punimeve të forumit, Presidenti i AMBO-s, Ted Ferguson, paraqiti zhvillimin e këtij projekti të hartuar 10 vjet më parë, duke theksuar se në 6 muajt në vijim do të punohet në disa drejtime lidhur me përllogaritjet dhe studimet, si dhe për planin ekonomik dhe financiar, kostot e transportit, impaktet mjedisore dhe sociale etj. Sipas projektit, ndërtimi i këtij naftësjellësi mund të ketë edhe një degëzim në Shqipëri. Në fakt, Shqipëria është ndër të paktët vende që nuk është i lidhur me një rrjet nafte apo gazi dhe kjo në një kohë kur kërkesat për këto produkte rriten dita-ditës. Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, është shprehur pro të gjitha projekteve energjetike që kalojnë përmes Shqipërisë. “Shqipëria mbështet të gjithë projektet që vijnë për zhvillimin e sektorëve energjetikë përmes linjave ndërkombëtare të transportit, të identifikuara në rajonin e Evropës Juglindore”, tha Ruli. Gjatë forumit të djeshëm, ai theksoi edhe nevojën e ndërtimit të linjave të gazsjellësve dhe naftës, ku Shqipëria favorizohet nga pozicioni strategjik gjeografik, si dhe nxitjen për projektet e paraqitura nga investitorë të huaj për investime në këto fusha në Shqipëri, si dhe ato që kanë nisur si nga Petrolifera në Porto Romano etj. “Duke u nisur nga fakti që tregjet energjetike evropiane dhe të Evropës Juglindore do të kenë vartësi edhe në 20-30 vitet e ardhshme nga burimet energjetike të vendeve të Lindjes, krijohet nevoja e zhvillimit të rrjeteve ndërlidhëse energjetike të naftës, gazit dhe të energjisë elektrike”, u shpreh ai.