E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD përplasen për “Falimentin”

Socialistët dhe demokratët përplasen sërish ndërmjet tyre për ligjet e falimentimit dhe procedurat tatimore. 

 Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, në konferencën e djeshme për shtyp kërkoi që maxhoranca të tërheqë dy projektligjet dhe ta rishqyrtojnë atë nga fillimi me grupet e interesit. “Duke i konsideruar këto ligje shumë të rëndësishme, ne përmes përfaqësuesve tanë në komisionin e Ekonomisë po edhe në seancë kemi kërkuar, që të kishte më shumë kohë për diskutim dhe të reflektohen disa probleme që krijon miratimi i ligjit të Procedurave Tatimore. Ne kërkuam që biznesi të konsultohej për këtë ligj të rëndësishëm, kjo edhe për faktin që projekti i ardhur nga qeveria, ka pësuar shumë ndryshime në komisionin e Ekonomisë, ndryshime të cilat nuk janë diskutuar me palët e interesuara. Këto kërkesa si tonat edhe të biznesit janë shpërfillur”, deklaroi Leskaj. Ajo theksoi se, “ky ligj i jep drejtorit të Tatimeve rolin e konfiskuesit duke i dhënë kështu funksione të institucioneve të tjera si të prokurorisë, gjyqësorit apo të përmbaruesit, ç’ka lë shteg për abuzivizëm dhe përdorim nga politika dhe njëherësh cenohen institucionet e pavarura”. Për socialistët këto dy nisma të reja bien ndesh dhe me ligjin “Për shoqëritë tregtare”. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga ana e maxhorancës. Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, demokrati Edmond Spaho, i cilësoi si të pavërteta qëndrimet e mbajtura nga ana e Leskaj e PS-së. “Ligji i Procedurave Tatimore është përgatitur në një proces 16-mujor nga ekspertët, me ndihmën e USAID-it dhe në kuadrin e programit Millenium Challenge Coorporation. Ky ligj ka marrë mbështetjen e plotë të Bankës Botërore, FMN-së dhe Komisionit Evropian. Ai është konsultuar për 6 muaj me radhë dhe ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Spaho. Përsa i përket ligjit “Për falimentimet”, Spaho u shpreh se, “është një ndër kërkesat më të rëndësishme e detyrat më madhore për krijimin e klimës së favorshme të biznesit në Shqipëri”.     b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›