E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Tani prioritet zhvillimi i porteve

Zgjerimi i kapaciteteve të porteve do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë. 

Këtë e ka konfirmuar vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë forumit të djeshëm të Krans Montanës. “Qeveria do të mbështesë zgjerimin e kapaciteteve të porteve, ndërsa duhen vendosur standarde të reja për portet detare”, tha ministri Ruli. Ai ofroi edhe mbështetjen e tij për Ministrinë e Transporteve, për mënyrën sesi do të zhvillohen këto standarde. “Shqipëria ka një pozicion shumë të mirë gjeografik dhe në këtë drejtim i kemi shumë të nevojshme investimet në infrastrukturë dhe sidomos atë të porteve, për të tërhequr investitorë të huaj”, ka thënë ai. Ndërkaq, ministri Ruli ka vënë gjithashtu në dukje se deri në fund të këtij viti, njëri prej projekteve të mëdha do të jetë një port koncesionar, i cili do të fillojë sipas të gjitha procedurave dhe hallkave përkatëse. Ky është i treti vit radhazi që forumi botëror ekonomik i Krans Montanës zhvillohet në Shqipëri. Ky forum, i cili është organizuar në bashkëpunim me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, marrin pjesë përfaqësues të shumtë nga institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, nga qeveri të ndryshme të vendeve anëtare të BE-së, si dhe nga kompanitë ndër më të mëdha të huaja, të interesuara për investime në Shqipëri. Pjesëmarrës janë edhe përfaqësues nga kompani të ndryshme energjetike, telekomunikacionet, të SME-ve, nga studio të huaja ligjore etj. Zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, si dhe ekspertë të huaj, kanë diskutuar gjatë këtyre dy ditëve mbi zhvillimet ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, sektorin energjetik etj. Sot është dita e fundit e forumit të Krans Montanës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›