Berisha kontrakton kompaninë që bëri fushatën e Hillari Klintonit
Partia Demokratike ka kontraktuar për organizimin e fushatës elektorale një ndër kompanitë më të njohura amerikane, e cila së fundi ka organizuar edhe fushatën presidenciale të Hillari Klintonit. “Penn, Schoen & Berland Associates” (PSB) është një kompani e mirëkualifikuar në organizimin e fushatave të suksesshme politike. PSB ofron një shërbim të plotë politik, duke përfshirë këshilla për menaxhimin e fushatës dhe për reklamat televizive. Kjo kompani i ka zyrat e saj në Nju Jork, në Uashington dhe në Denver. Kompania drejtohet nga Mark Pen, Marcela Berland, Mat Karter, Andrju Klaster dhe Xhoshua King, i cili ka qenë dhe drejtor i Produksionit gjatë fushatës presidenciale të Bill Klintonit. Burime nga qeveria dhe nga PD-ja konfirmojnë kontraktimin e kësaj kompanie, e cila pritet së shpejti të stacionohet pranë selisë blu. Por burimet nuk bëjnë të ditur shumën financiare me të cilën e kanë kontraktuar këtë kompani. Në informacionin e dhënë në faqen e internetit, përsa i përket politikës, PSB garanton fitoren e kandidatëve në gara të vështira. Duke u bazuar në të përditshme “Washington Business Forward”, “kompania PSB ka një reputacion si mbështetëse e partive demokratike, duke bashkëpunuar ngushtë si me administratën e presidentit Bill Klinton, ashtu dhe me senatoren e Hillari Klinton.
E përditshmja angleze “The Daily Telegraph”, në vitin 2005 shkroi se kryeministri britanik Toni Bler rekrutoi shërbimin e PSB-së gjatë zgjedhjeve në Britaninë e Madhe.
Përveç kompanisë, përfaqësuesit e së cilës pritet të vijnë së shpejti në Tiranë, selia blu është e angazhuar së fundi me ngritjen e shtabeve elektorale. Gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar disa mbledhje në PD, ku janë diskutuar emrat e personave që do të merren me anën organizative të fushatës. Po kështu janë diskutuar dhe ndarja e minibashkive dhe kandidatëve për deputetë që do të angazhohen me fushatën në zona të ndryshme të kryeqytetit. Burimet kanë bërë të ditur se kandidatët që rikandidojnë në Tiranë do të mbajnë zonat e tyre elektorale, ndërsa të rinjve do t’u përcaktohet minibashkia, ku do të përqendrojnë fushatën elektorale. Sipas burimeve, Majlinda Bregu do të vazhdojë të përqendrohet në zonën e saj elektorale në Laprakë. Ndërsa Bujar Nishani në zonën e tij elektorale në Kombinat. Po kështu dhe Gerti Bogdani do të kërkojë votën e banorëve të minibashkisë që ai ka drejtuar. Ndërsa të rinjtë e listës presin nga dita në ditë të njihen me minibashkinë në të cilën do të përqendrojnë forcat.
27 Maj 2009