E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i ODIHR-it. Situata politike, thellësisht e polarizuar midis PD-së dhe PS-së

“Çështja e kartave të identitetit është çështja më e kontestuar”. “PD-ja dhe PS-ja akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion”

Eljona Ballhysa
Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it ka publikuar dje raportin e parë për situatën parazgjedhore në Shqipëri, veçanërisht për periudhën 8-21 maj 2009. Raporti bën një panoramë të situatës politike, të hapave të marrë nga partitë për përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vëzhguesit e ODIHR-it kanë konstatuar në këtë raport të parë se situata politike në Shqipëri vazhdon të jetë thellësisht e polarizuar midis dy partive të mëdha, PD dhe PS, dhe ekziston një mungesë besimi mes partive përsa i përket administrimit të rregullt të procesit zgjedhor. Madje, në raport theksohet se partitë kanë shprehur frikën e parregullsive veçanërisht gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas raportit, dy partitë e mëdha vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion. Ndërsa çështja më shqetësuese, veçanërisht për partitë e koalicionit opozitar, mbetet çështja e kartave të identitetit.
Situata
Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it ka mbërritur në Tiranë më datën 8 maj. Ky mision, që përbëhet nga 14 vëzhgues që qëndrojnë në Tiranë dhe 28 të tjerë që janë shpërndarë në të 12-të qarqet e vendit, drejtohet nga ambasadorja Odrei Glover. Sipas saj, do të vijnë në Shqipëri dhe 400 vëzhgues të tjerë që do të monitorojnë procesin e votimit, të numërimit të votave dhe të shpalljes së rezultatit. Ky mision, gjatë qëndrimit të tij do të paraqesë 4 raporte. Në raportin e parë, që u prezantua dje, ambasadorja Glover bëri të ditur se “mjedisi politik është thellësisht i polarizuar nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS. Ndërsa partitë e vogla, të cilat kundërshtuan sistemin e ri zgjedhor, vendosën që perspektiva e tyre është pjesëmarrja në koalicione dhe shumica e tyre janë bërë pjesë e koalicioneve. Këto zgjedhje janë të parat që zhvillohen në Shqipëri sipas sistemit proporcional, i cili zëvendësoi sistemin e shumëkontestuar maxhoritar i përzier me proporcional. Reforma zgjedhore u realizua nëpërmjet konsensusit midis dy partive të mëdha. Ndërsa shumë parti të vogla shprehën pakënaqësi me vendosjen e sistemit të ri elektoral, i cili favorizon dy partitë e mëdha”. Glover në raportin e saj ka bërë të ditur se çështja më e kontestuar është pikërisht ajo e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Çështja e kartave të reja të identitetit është çështja me e kontestuar e këtij procesi zgjedhor.
Duke iu referuar Ministrisë së Brendshme, rreth 354 000 zgjedhës nga 730 000 zgjedhës që nuk kanë pasaportë kanë aplikuar për letërnjoftimet. Ndërsa qeveria garanton dhe beson se do t’u mundësojë të drejtën e votës të gjithë personave që nuk disponojnë një pasaportë, negociatorët e OSBE/ODIHR-it, në mënyrë të veçantë nga opozita, janë pyetur nëse do të ishte e mundur të realizohej brenda afatit ligjor ky proces. Disa parti kanë shprehur shqetësimin se aplikimet janë realizuar në mënyrë selektive, duke sjellë disavantazhe për mbështetësit e disa partive të tjera”, - është shprehur Glover.
Fushata
Në raport konstatohet se pavarësisht se periudha 30-ditore e fushatës zyrtare elektorale nuk fillon para datës 29 maj, partitë prej kohësh e kanë nisur fushatën, ku një pjesë e figurave kryesore kanë nisur një tur në të gjithë vendin. Pavarësisht pjesëmarrjes në koalicione, fushata ka nisur në mënyrë individuale nga partitë politike.
“PD-ja ka theksuar si arritje të qeverisë anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e kandidatit në BE. PD-ja gjithashtu ka cilësuar si meritë të saj zhvillimin e infrastrukturës dhe luftën kundër korrupsionit. Ndërsa partitë opozitare kanë premtuar përmirësime në fusha të tilla si inrfrastruktura, arsimi dhe shëndetësia. PD-ja dhe PS-ja vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion”, - shkruhet në raportin e ODIHR-t. Më tej në raport theksohet se “ka mungesë besimi nga partitë politike përsa i përket administrimit të procesit zgjedhor. Shumë parti të vogla shprehin pakënaqësinë se sipas tyre Kodi Elektoral i jep një rol dominues PD-së dhe PS-së në administrimin e zgjedhjeve. Shumë parti kanë shprehur frikën për parregullsi në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, veçanërisht në procesin e numërimit të votave”. ODIHR-i gjithashtu konstaton në raportin paraprak se pavarësisht medias pluraliste në Shqipëri, ajo vazhdon të jetë e ndikuar politikisht. Më tej në këtë raport vërehet se pavarësisht se në Kodin Zgjedhor është përcaktuar që në lista 30% e kandidatëve të jenë femra, partitë e zbatuan këtë dispozitë teorikisht, pasi kandidatet femra i vendosën në fund të listave duke mos u garantuar atyre pjesëmarrjen në Parlamentin e ri. Në raportin e ODIHR-it bëhet e ditur se janë 3.1 milionë votues me të drejtë vote në Shqipëri. Janë 4 koalicione partiake të regjistruara në KQZ, 36 parti politike dhe 2 kandidatë për deputetë të pavarur.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›