E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Mirëpres bashkëpunimin me Nanon për fitoren e opozitës dhe së majtës më 28 qershor”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka komentuar deklaratat e fundit të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Meta e ka cilësuar Nanon si një faktor shumë të rëndësishëm brenda së majtës shqiptare. Kreu i LSI-së tha se shpresonte që Nano të luante rol aktiv për të ndihmuar fitoren e opozitës dhe së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Meta tha se mirëpriste bashkëpunimin me Nanon, me qëllim largimin e Sali Berishës nga pushteti. “Nga qëndrimet e zotit Nano unë do të doja të merrja thelbin e shqetësimit të tij. Atë çka do të vlerësoja si më racionalen nga shqetësimi i tij është pikërisht domosdoshmëria e një bashkëpunimi midis forcave të opozitës për të garantuar një fitore në zgjedhjet e 28 qershorit. Unë uroj që Nano, pavarësisht nga moskandidimi për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, të ketë një rol aktiv për të ndihmuar në fitoren e opozitës dhe të majtës në zgjedhjet e 28 qershorit, pasi duhet thënë se ai përfaqëson një faktor shumë të rëndësishëm të së majtës dhe në këtë mënyrë është e domosdoshme që të gjithë këta faktorë të bashkërendojnë dhe të bashkëpunojnë me qëllimin kryesor fitoren e opozitës, fitoren e së majtës dhe forcave progresiste dhe nxjerrjen në pension politik të kryeministrit aktual Berisha. Besoj që pas 28 qershorit projekti për bashkëpunimin e së majtës mbi principe shumë demokratike do të jetë i hapur. Unë jam shumë i hapur të bashkëpunoj me të gjithë faktorët progresistë dhe opozitarë dhe pa dyshim që më duhet të theksoj se Nano është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare për shkak të një roli të rëndësishëm dhe historik që ai ka pasur. Ai përfaqëson një figurë tepër komplekse dhe njëkohësisht besoj se është një figurë ende shumë përfaqësuese, dhe në këtë drejtim është i domosdoshëm bashkëpunimi me të dhe një rol i tij më aktiv në drejtim të fitores së përbashkët të së majtës dhe opozitës në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›