Berisha kritikon skemën e reklamuar nga Rama për naftën pa akcizë
Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë është fokusuar tek bujqësia, ulja e varfërisë dhe lista e re e rimbursimit të barnave. Ndërkohë ai kritikoi skemën e reklamuar nga kryesocialisti Edi Rama për naftën pa akcizë. E dëgjuat ju sërish kryetarin e opozitës kur foli për akcizën (ujku qimen e ndërron, zanatin nuk e harron). Pra, politika e re e çoi sërish tek akciza, sepse akciza përfundon në xhepat e pushtetarëve.
Ndërsa investimi në prodhime, agrobiznesi, ulliri, vreshta, bleta, përpunimi i prodhimeve, kapacitetet ftohëse, janë realitete që zhvillohen çdo ditë dhe nuk avullojnë si nafta, tha Berisha. Duke e cilësuar si mjaft pozitive rritjen e numrit të fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë, kryeministri u fokusua tek ajo që e quajti ethet e ullirit. Berisha theksoi gjithashtu se për zona të ndryshme të vendit, duhet të aplikohen dhe kërkohen skema dhe kritere të ndryshme. Për zonën verilindore dhe juglindore, për zonën nga Delvina deri në Dukagjin, do të përpunohen kritere të reja. Sigurisht, që do të synohet fusha e prodhimeve, por për këtë zonë, nuk mund të jenë të vlefshme kriteret e Myzeqesë, të Lezhës, Shkodrës apo Korçës, për këtë zonë ne duhet të përshtasim kritere të tjera, rigorozisht të bazuara në projekte, u shpreh Berisha. Gjithashtu, në fjalën e tij kreu i qeverisë ka theksuar se krahas nxitjes së fermerëve, ministria e Bujqësisë do të ketë programe informative për fermerët, përmes mediave lokale, sipas profileve dhe fushave. Këto programe duhet të informojnë intensivisht fermerët për çmimet e bursës dhe çmimet e tregut. Duhet tu kërkohet fermerëve të mos u referohen çmimeve të doganave. Ky është një gabim i madh, sepse në jo pak raste çmimet e doganave kanë synim mbrojtjen e tyre. Ai duhet të njihet me çmimin e bursës dhe çmimin e tregut dhe më pas, i bën llogaritë vet. E vetmja gjë që nuk duhet të bëjë fermeri shqiptarë është që ti referohet çmimit të doganës, theksoi Berisha. Sipas tij, të gjithë ata fermerë që meritojnë të jenë fitues në grantin e qeverisë, granti le tu lëvrohet, sipas sezonit dhe specifikave përkatëse, por natyrisht, projekti i ullirit është i pari, duke veçuar faktin se lëvrimi i grantit sipas sezonit, i bën të mundur qeverisë që të japë shtesën e nevojshme për të mbuluar kërkesat e të gjithë fermerëve që kanë aplikuar. Zoti ministër i Bujqësisë, në këto aplikime, projekti i ullirit duhet të jetë i pari, ndërkohë që të gjitha projektet e tjera do të programohen sipas sezonit, pasi ne e kemi zgjeruar edhe spektrin e projekteve ku mund të aplikohet, vijoi Berisha.