E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta prezanton Shezai Rrokajn, kandidat për deputet në minibashkinë nr.2

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me qindra përkrahës të LSI, në Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë. Në këtë takim Meta prezantoi si kandidat për deputet të LSI në njësinë nr. 2, ish- Rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Shezai Rrokaj. Gjatë këtij takimi, Meta ka vlerësuar edhe një herë programin e LSI, i cili sipas tij është shumë i qartë dhe i bazuar nga fillimi deri në fund tek punësimi. Alternativa që vërtetë që jep siguri, begati dhe integrim për shqiptarët, është vetëm alternativa e punësimit, e krijimit të mundësive për punësim për të gjithë, që të ushtrojnë aftësitë dhe talentet e tyre në profesione të caktuara, në sfera të caktuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të jetojnë me dinjitet, të mbajnë familjet e tyre me dinjitet dhe të rrisin fëmijët me dinjitet. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë vërtetë të jemi të qetë dhe të sigurt, sepse është një shoqëri e cila po punon në strese të jashtëzakonshme, sepse nuk ka asnjë politikë, që ti orientojë njerëzit, që ti ndihmojë dhe ti lehtësojë problemet e tyre, është shprehur kreu i LSI, Meta i cili ka vijuar më tej me gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet aktualisht vendi ynë. Ju e shikoni se në çfarë gjendjeje është situata ekonomike në vend, në çfarë gjendje është biznesi në përgjithësi dhe qeveria nuk do tia dijë fare, nuk merr asnjë masë për këtë gjë. Do hap 300 mijë vende pune thotë Sali Berisha, për 4 vitet që vijnë, ndërkohë që para disa ditësh u deklarua se u mbyllën 11 mijë vende pune nga industria e fasonëve, e prodhimit të veshjeve me material porositës që është industria që ka numrin më të madh të të punësuarve, rreth 100 mijë veta dhe janë kryesisht vajza dhe gra, cilësoi Meta, sipas të cilit qeveria aktuale nuk do tia dijë, që kur biznesi kërkon ndihmë i kthen kurrizin, e jo vetëm kaq, por sipas Metës, kur bën mbushjen e arkës së buxhetit të shtetit, qeveria e mbush dhe në mënyrë arbitrare, i merr edhe ato tatimet parapagim, i vë dhe gjobat dhe kështu me radhë. Meta ka theksuar se këto nuk rëndojnë thjeshtë vetëm biznesmenin, por rëndojnë mbi aktivitetin, dëmtojnë njerëzit që janë të punësuar. Ndaj, Meta ka shprehur besimin se alternativa e LSI për këto zgjedhje, është më realistja. Sipas Metës, kjo alternativë synon të përgjysmojë numrin e të papunëve sot, përsa i takon fuqisë aktive, por jo vetëm kaq, por dhe të zgjerojë aktivitetet prodhuese në vend dhe sidomos aktivitetet që mundësojnë një rritje të prodhimit vendas dhe uljen e ndjeshme të importeve, gjë që do të reflektonte në një forcim të ekonomisë tonë kombëtare dhe do të sillte dhe një forcim dhe një mirëqenie të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›