Xhixho: Liqeni artificial, katastrofë ekologjike
Nënkryetarja e LSI dhe Kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho e ka konsideruar dje ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës, një katastrofë ekologjike shumë të dëmshme për të ardhmen e liqenit, simbol të kurorës së gjelbër të kryeqytetit. E shoqëruar dhe nga Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim të Tiranës, Endrit Braimllari dhe nga dhjetëra të reja dhe të rinj të LRI, kanë parë nga afër situatën e ndotjes së Liqenit Artificial të Tiranës.
Gjatë një prononcimi për mediat pasi vështroi nga afër situatën dhe shkallën e ndotjes së Liqenit, Xhixho tha se kjo është një ngjarje e rëndë, e cila do të ketë pasoja katastrofale ekologjike për Liqenin në të ardhmen. Duke kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe dënimin e fajtorëve, Xhixho i bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse të marrim masa të menjëhershme, për të përmirësuar gjendjen e rëndë që kishte kapluar Liqenin artificial të Tiranës, ku shumë peshq dhe gjallesa të tjera fatkeqësisht kishin ngordhur në masë.