Berisha kryebashkiakut të Romës: Na ndihmoni për monumentet e kulturës

Tiranë, 13 shkurt, NOA Në përfundim të
vizitës së tij zyrtare në Itali, kryeministri shqiptar Sali Berisha u prit në
një takim miqësor e të përzemërt nga kryetari i bashkisë së Romës, Gianni
Alemanno. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Këshillit
të Ministrave për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, dy personalitetet u
ndalën në iniciativën e Pranverës Italiane në Shqipëri, një aktivitet i madh
kulturor ky, në të cilin do të marrin pjesë mbi 80 aktivitete dhe biznese të
ndryshme italiane.
Por ndër të tjera, gjatë këtij takimi të
përzemërt, u diskutua edhe për vitin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës
dhe aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen me këtë rast.
Alemano nga ana e tij, i uroi kryeministrit
Berisha mirëseardhjen në Campidoglio dhe u shpreh se ishte shumë i lumtur
të priste kryeministrin e një vendi, me të cilin Italia ka raporte të
shkëlqyera bashkëpunimi.
Ndërsa, kryeministri Berisha e falënderoi
kryetarin e bashkisë së Romës për mikpritjen dhe u shpreh se Italia është
avokati i parë i vendit tonë në përpjekjet për realizimin e integrimit
europian, projektit më madhor të shqiptarëve.
Ai i bëri me dijeni personalitetit italian se sapo
kishte firmosur me Kryeministrin Silvio Berluskoni një marrëveshje për
partneritetin strategjik, që do të jetë një konsolidim i mëtejshëm i
bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në
energji, turizëm, transport.
Më tej, palët u ndalën në iniciativat e
përbashkëta midis Shqipërisë dhe bashkisë së Romës në fusha të ndryshme.
Kështu, Alemano u shpreh se në Romë jetonte
një komunitet i gjerë shqiptarësh, mbi 5 mijë emigrantë shqiptarë, të integruar
shumë mirë në qytetin e tij dhe që përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për
zhvillimin e këtij qyteti.
Ndërkaq, kryeministri Berisha i shprehu ftesën
e tij kryetarit të bashkisë së Romës për të vizituar Shqipërinë, ftesë, të
cilën ai pranoi me kënaqësi, duke u shprehur se në pranverë, gjatë aktivitetit Pranverë
Italiane në Shqipëri, ai do të vizitonte vendin tonë.
Sa i përket 100-vjetorit të Nënë Terezës,
Alemanno e ka vlerësuar atë si një figurë
të madhe të njerëzimit, për të cilën madje
edhe Roma do të organizojë Javën e Nënë Terezës, me aktivitete të shumta nga
bashkia e Romës dhe të gjithë strukturave të lidhura me të.
Në fund, kryeministri Berisha u shpreh më tej
se një kontribut jashtëzakonisht i madh do të ishte ndihma në ekspertizë që
bashkia e Romës dhe strukturat e saj do të jepnin në ristrukturimin dhe
mbrojtjen e monumenteve të kulturës, duke qenë se Roma është qendra e pasurisë
botërore të monumenteve të kulturës dhe se ekspertët italianë mund tu japin
një ndihmë të çmuar ekspertëve shqiptarë dhe një kontribut të vyer, në këtë
drejtim. Meqenëse këtë vit, Shqipëria ka pasur një rritje të turizmit prej 36
përqind, - u shpreh kryeministri Berisha, - është me shumë interes një vlerësim
dhe ristrukturim më i madh i qendrave kulturore dhe zonave arkeologjike, të
cilat Shqipëria i ka të shumta.
n.e/NOA