Berisha kundërshton Topin: Të masivizohen universitetet
Replikat e kryeministrit Berisha në distancë këtë herë kanë pasur si objekt, kryesor kreun e shtetit Bamir Topin, i cili pak ditë më parë kritikoi reformat e qeverisë për masivizimin e universiteteve. Kreu i qeverisë është shprehur pro masivizimit të universiteteve, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë propozimin e presidentit Topi rreth një javë më parë, i cili nuk kërkoi masivizim, por cilësi dhe standarde.
"Ata që i besojnë arsimit, ata që nuk e shohin arsimin si një plaçkë apo pronë individuale, nuk kanë ndrojtje nga masivizimi i arsimit. Është e vërtetë se krahas tij duhet të jetë cilësia, po këtu nuk ka asnjë pengesë", u shpreh kryeministri Berisha, sipas së cilit liberalizimi nuk ndikon në uljen e cilësisë së shkollave të larta. Kryeministri Berisha u shpreh se synimi i qeverisë së tij është që numri i studentëve të rritet ashtu sikurse edhe në vendet e Evropës. Ne duhet të synojmë që, në dy tre vitet që vijnë, të kapim mesataren e BE-së, 40 studentë për 1 mijë banorë. Por, nëse keni parasysh moshën e re të kombit, ne duhet të kemi një numër mesatar akoma më të lartë. Ky objektiv është i vlefshëm për të gjitha universitetet. Ne nuk duhet të lëmë përpjekje pa bërë, nuk duhet të druhemi nga masivizimi, ka theksuar kreu i qeverisë, i cili ndër të tjera ka shtuar se nisma e qeverisë për hapjen e universiteteve do të jetë synimi i demokrateve edhe mandatin e ardhshëm. Në një takim me krerët e universiteteve shqipfolëse, Berisha premtoi se nëse vjen sërish në pushtet do të trefishojë buxhetin për arsimin dhe do rritë numrin e të rinjve me shkollë të lartë. "Qeveria ime ka dyfishuar buxhetin, por nuk mjafton, unë zotohem këtu se do të trefishoj buxhetin, kjo nuk mjafton. Rruga më e sigurt është mobilizimi i resurseve pakrahasimisht më të fuqishme të sektorit privat, sesa sektorit publik, theksoi Berisha. Gjatë fjalës së tij, një tjetër çështje tepër e rëndësishme ka qenë edhe anëtarësimi i vendit në NATO, ku Berisha ka theksuar se një vend në NATO e ka të sigurt rrugën për në BE. Sipas tij marrja e anëtarësimit në NATO muajin që vjen do ta ndihmojë vendin tonë, i cili shume shpejt do të fillojë procedurat për marrjen e statusit si vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Kreu i ekzekutivit vlerësoi faktin se Shqipëria po ecën në rrugë të mbare duke gëzuar dhe mbështetjen e plotë të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, ku veçoi këtu rolin kryesor të Brukselit, që sipas tij do të mbështes plotësisht Shqipërinë në rrugën e nisur.